Serbia e Kosova, të pavarura nga njëra-tjera në BE
Berlin, 20 dhjetor - Qeveria gjermane thotë se është e vetëdijshme se nuk mund ta obligojë Qeverinë në Beograd që ta njohë tani pavarësinë e Kosovës.
Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Andreas Schockenhoff, nënkryetar i Grupit Parlamentar të Unionit Demokristian në Bundestagun gjerman, thotë se edhe Serbia, edhe Kosova duhet të jenë në gjendje që në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra të integrohen në Bashkimin Evropian.
Kjo do të thotë se të dyja duhet të kontribuojnë në stabilitetin dhe sigurinë e BE-së dhe të mos sjellin atje konflikte të pazgjidhura, ka thënë njëri nga politikanët me më ndikim të partisë së kancelares Angela Merkel.
Schockenhoff ka theksuar se qëllim i Gjermanisë është integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, porse të gjitha ato duhet të plotësojnë kushtet.