Serbia do t`i mbajë zgjedhjet edhe në Kosovë
Beograd, 30 mars - Tashmë duket se nuk ka asnjë dyshim se qeveria e Serbisë do t`i mbajë zgjedhjet edhe në tërë territorin e Kosovës.
Ky zhvillim duket të jetë në kundërshtim me deklaratat e fundit të qeverisë së Kosovës se nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.
Burime ndërkombëtarë i kanë thënë gazetës Zëri se zgjedhjet parlamentare serbe do të organizohen në secilin rajon në Kosovë ku jetojnë serbët.
Për më tepër, sipas burimeve të njëjta, i tërë dekori zgjedhor në territorin e Kosovës do të jetë i njëjtë me atë në Serbi.
Do të ketë fushatë, mitingje, do të shpërndahen postera zgjedhorë, vendvotimet do të jenë të siguruara, të njëjta si në secilin rajon tjetër të Serbisë, ka thënë burimi ndërkombëtar.
Kosova nga viti 2008 ka shpallur pavarësinë e saj dhe ajo është njohur nga shtetet më të fuqishme botërore, përjashtuar Rusinë dhe Kinën, por pavarësia e vendit nuk njihet nga Serbia, si dhe nga një numër ende i madh shtetesh.