Serbia do të detyrohet ti njoh atributet shtetërore të Kosovës
Beograd, 11 shkurt - Mediat serbe shkruajnë se në raundin e pestë të dialogut politik të arrihen disa vendime të rëndësishme, dhe për këtë arsye ky takim mund të zgjas disa ditë.
Ndërsa, me normalizimin e marrëdhënieve burimet ndërkombëtare thonë se do të kërkohet njohja nga Serbia e atributeve shtetërore të Kosovës.
Edhe pse burimet jozyrtare përmendin qëllimin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton, që nga përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë para verës të nënshkruhet dokumenti për normalizimin e marrëdhënieve, në Bruksel zyrtarisht nuk e theksojnë një skenar të tillë.
Pjesë integrale e dialogut është ajo që qëndron në konkluzionet e dhjetorit, tha për Novosti zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijancic, në pyetjen nëse është e vërtetë se Kosova dhe Serbia deri në qershor duhet të nënshkruajnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Në konkluzionet e procesit të negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE, ndër të tjera kërkohen hapa konkret drejt përmirësimit të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën, por nuk përmendet një dokument i tillë për të cilin kërkohet nënshkrimi. Është e qartë se edhe nga Prishtina, e edhe nga Beogradi, në një mënyrë kërkohet gatishmëria për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.
Është qëllim i qartë i baroneshës Ashton që deri në qershor tërë procesin tia paraqesë komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, sepse kjo në një mënyrë është trajtuar edhe në konkluzionet e dhjetorit.
Nga kjo del fakti se procesi i normalizimit do të vazhdoj edhe pas marrjes së datës për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE. Dhe kjo, në një mënyrë, theksohet në konkluzione, ku thuhet se pritet që procesi i përmirësimit të dukshëm dhe të qëndrueshëm gradualisht të çojë në normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Edhe pse pritet progresi, nuk vlerësohet që gjithçka të kryhet deri në qershor. Brenda disa muajsh, nga BE do të përpiqen, mes të tjerash, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për veriun, ndërsa në listë janë zbatimi i marrëveshjes për doganat, zgjidhja e nyjës energjetike apo arritja e marrëveshjes për kërkesën e Prishtinës për kodin telefonik.
Koha po kalon dhe pas takimi protokollar mes Atifete Jahjagës dhe Tomislav Nikolicit, do të fillojë presioni për përshpejtimin e negociatave. Pas katër takimeve, në të cilat janë përafruar qëndrimet, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic në fund të dhjetorit do të nisin negociatat substanciale.
Por, çfarë saktësisht nënkupton ky normalizim? Normalizimi i marrëdhënieve, në të cilën insistohet, në fakt paraqet kërkesën që Serbia Kosovës tia njoh të gjitha atributet e shtetit të pavarur, përveç se ta njoh edhe de facto, thotë burimi i ditores serbe në selinë e BE-së.