Serbët reagojnë për ndalimin e autobusëve
Beograd, 18 gusht - Dy zyrtarët e lartë të Qeverisë së Serbisë, Borko Stefanoviq dhe Goran Bogdanoviq kanë reaguar lidhur me ndalimin e autobusëve të kompanive serbe nga ana e autoriteteve kufitare të Kosovës.
Bogdanoviq, ministri serb për Kosovën deklaroi se kthimi i autobusëve në kufi vendos në pikëpyetje tërë marrëveshjen e arritur midis Prishtinës dhe Beogradit.
Policia e Kosovës në vendkalimet kufitare ka kthyer prapa të gjithë autobusët e kompanive transportuese serbe, për shkak të mosposedimit të licencave për qarkullim dhe transport të lëshuara nga autoritetet e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Prishtinës.
Ky është një aktivitet i dëmshëm i Prishtinës, që sjellë në pikëpyetje tërë atë që është arritur. Por, gjithashtu ne jemi të shqetësuar edhe nga heshtja e BE-së dhe OKB-së, deklaroi Bogadnoviq, duke shtuar se autoritetet e Kosovës për këto vendime kanë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Borko Stefanoviq deklaroi se megjithatë kompanitë serbe kanë organizuar transporte dhe udhëtime alternative për në Kosovë.