Serbët me pankarta antisemitike
Beograd, 31 mars - Autoritetet e Serbisë e kanë dënuar paraqitjen e pankartave antisemitike në rrugët e Beogradit, që shënonin 14 vjetorin e bombardimeve të NATO-s për ti ndalur forcat e Serbisë në Kosovë.
Ata që e çnderojnë Serbinë me këto pankarta antisemitike do të kapen dhe dërgohen para drejtësisë, u ka thënë gazetarëve, zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Duket se pankartat sugjerojnë se Izraeli dishte dorë në bombardimet e NATO-s në pranverë të vitit 1999.
Në to paraqitej harta e Serbisë dhe fotografitë e ndërtesave të shkatërruara nga bombardimet, ndërsa një aeroplan me Yllin e Davidit simbol i Judaizmit shihej duke fluturuar sipër tyre, i gatshëm për të hedhur bombë.
Në pankarta përfshihej edhe mesazhi 14 vjet pas bombardimeve, terrori i tyre vazhdon, i nënshkruar nga organizata ultranacionaliste serbe, Gjaku dhe Nderi, raporton AFP, duke u mbështetur në fotografitë e paraqitura në shtypin lokal.
Ambasada e Izraelit në Beograd, poashtu, i ka dënuar këto pankarta, duke thënë se është e vetëdijshme se ky incident nuk reflekton qasjen e shoqërisë serbe, e cila i ka respektuar shtetasit hebrenj nëpër histori.
Bombardimet e NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Serbi dhe Kosovë, që filluan më 24 Mars të vitit 1999 dhe zgjatën 78 ditë, kishin për qëllim largimin e forcave serbe nga Kosova, që ushtronin shtypje ndaj lëvizjes për pavarësi të shumicës shqiptare.