Senati nis këtë javë gjyqin kundër Trumpit
Washington, 8 shkurt - Senati amerikan nis të martën gjykimin e ish-presidentit republikan të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Trump akuzohet për “nxitje të kryengritjes” më 6 janar.
Atë ditë, mbështetësit e tij kanë sulmuar ndërtesën e Kongresit amerikan, në përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Pesë njerëz, përfshirë një polic, kanë vdekur në trazira.
Sipas një sondazhi të kryer nga ABC News dhe Qendra e Kërkimeve Ipsos, shumica e amerikanëve - 56 për qind - duan që Senati amerikan ta dënojë Trumpin dhe, në këtë mënyrë, ta ndalojë atë të udhëheqë ndonjë zyrë publike në të ardhmen.
Megjithatë, 50 demokratët e Senatit do të kenë nevojë për votat e së paku 17 republikanëve për ta dënuar ish-presidentin.
Ky rezultat duket se nuk ka gjasa të arrihet.
Shumë senatorë republikanë i kanë dënuar veprimet e Trumpit rreth trazirave në Kongres, por vetëm një pjesë e vogël e tyre ka treguar gatishmëri për ta dënuar atë.
Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, ka votuar për shkarkimin e Trumpit, pak ditë para se ai të përfundonte mandatin presidencial, më 20 janar.
Sipas demokratëve, një fjalim i Trumpit më 6 janar, si dhe pretendimet e pabazuara të tij për mashtrime në zgjedhje e kanë provokuar turmën për të sulmuar Kongresin.
Avokatët e Trumpit, në anën tjetër, pritet të argumentojnë se retorika e tij, që hedh dyshime mbi rezultatin e zgjedhjeve, është liri e shprehjes, e mbrojtur me Kushtetutë.
/rel/