15 Janar 2025

Selimi udhëheq delegacionin e Kosovës në ceremonitë e Francës

Paris, 14 korrik  - Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi po merr pjesë në ceremonitë e Festës Kombëtare të Francës së 14 Korrikut, e cila sivjet i është përkushtuar 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore.

Me ftesë të Presidentit francez François Hollande, janë ftuar 80 delegacione shtetërore për të marrë pjesë në ceremonitë e organizuara. Qëllimi i kësaj ngjarje botërore është të rikujtohet lufta e tmerrshme që ka ndodhur 100 vjet më parë e që ka shkaktuar viktima të shumta njerëzore si dhe që të jepet një mesazh i paqes.

Delegacioni i Republikës së Kosovës ishte i përfaqësuar nga i deleguari i Presidentes Jahjaga, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, diplomati Lulzim Hiseni, si dhe një delegacion i të rinjve i përbërë nga Fjolla Vukshinaj, More Raca, Zgjim Terziqi dhe Novica Stojanoviq. Delegacioni i të rinjve ka marrë pjesë në paradën e të rinjve të shteteve në një performancë artistike dedikuar paqes.

Gjatë vizitës në Francë, zëvendësministri Selimi është ftuar për drekë edhe nga ministri francez i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drean, si dhe në organizime të tjera formale me ftesë të kryetares së Komunës së Parisit, Anne Hidago, të organizuar me rastin e Festës Kombëtare të Francës së 14 Korrikut.

Gjatë një ceremonie përkushtuar delegacioneve shtetërore dhe të rinjve, të zhvilluar më 7 korrik, Presidenti francez, François Hollande ka shprehur mirënjohjen e Francës për të gjitha kombet e angazhuara në luftën e tmerrshme 100 vite më parë. “Ju do të merrni pjesë në një ngjarje që është botërore, ashtu siç ishte lufta. 80 kombe të sotme, gjatë periudhës 1914 dhe 1918, kanë dërguar ushtarë në Evropë. Andaj, Franca dëshironte t’i ftojë këto 80 vende, për të ndarë këtë moment të prehjes shpirtërore “recueillement”, kujtesës dhe që njëkohësisht do jetë një moment i paqes.  Prania juaj është edhe një mesazh që ju dërgoni në botë: një mesazh i paqes, një mesazh i vëllazërisë, një mesazh i respektit .... Festa e 14 korrikut është festa e të gjitha vendeve që e duan lirinë. Kjo është festa e të Drejtave të Njeriut, e Emancipimit dhe e Dinjitetit Njerëzor.”

Presidenti Hollande ka falënderuar delegacionet shtetërore  për pjesëmarrjen dhe shtetet e ftuara për dërgimin e  delegacioneve në këtë ngjarje të rëndësishme.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)