11 Janar 2025

Selimi kërkon hisen e Kosovës në nismat rajonale

Durrës, 31 mars - Ministrat e Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur dje dhe sot në Durrës, në kuadër të ministerialit rajonal “Western Balkans”, për të rritur koordinimin ndërshtetëror në realizimin e projekteve ekonomike rajonale në infrastrukturë dhe energjetikë.

Nikoqiri i këtij ministeriali, Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, vlerësoi lartë mbështetjen e Komisionit Evropian në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bushati me theks të veçantë foli për rrugëtimin euroatlantik dhe hapat konkretë që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në procesin e reformave, me fokus në reformën institucionale dhe në zbatimin e planit të veprimit për prioritetet kyçe të Shqipërisë.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm në detyrë i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, kërkoi që të punohet në  zbatim të projekteve të përfolura ngase, siç tha ai, barometër i suksesit të “Procesit të Berlinit” janë projektet vizibile të qytetarët dhe për ekonomitë e rajonit.

Ministri i Jashtëm Selimi gjithashtu ngriti zërin për një shpërndarje të drejtë të drejtorëve ekzekutivë dhe nismave rajonale. Prandaj, ai kërkoi që Kosova të marrë hisen që mëriton brenda nismave rajonale duke qenë së shteti kosovar nuk është i përfaqësues në nivel drejtues dhe ende nuk ka një seli. “Kosova i ka të miratuara katër projekte prioritare, duke përfshirë edhe rrugën Prishtinë-Nish si dhe linjën hekurudhore Prishtinë-Shkup”, tha Selimi në takimin e ministrave të Jashtëm të shteteve të rajonit.

Progresin e arritur në Ballkanin Perëndimor e vlerësoi edhe Komisioneri Evropian për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili tha se bashkëpunimi i shteteve të rajonit ka filluar të japë rezultate konkrete. Megjithatë, sipas komisionerit Hahn, nevojitet një përqendrim më i madh në zbatimin e projekteve të përbashkëta, që ky bashkëpunim të jetë një model i mirë për përballimin e sfidave me të cilat përballen sot Ballkani dhe BE-ja.

Përveç komsionerit Hahn dhe ministrave Bushati e Selimi, pjesë e takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në largim i Malit të Zi, Igor Llukshiq, ministri i Jashtëm i Bosnje e Hercegovinës, Igor Crnadak, dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Poposki.

Gjithashtu, si kryesues i radhës i Grupit të Vishegradit (V4), pjesëmarrës në ministerial ishte edhe ministri i Jashtëm i Çekisë, Lubomír Zaorálek, si dhe Štefan Füle, si i dërguar i posaçëm i OSBE-së për Ballkanin Perëndimor.

Në mesin e të pranishmëve në këtë ministerial ishin edhe sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Roksanda Ninçiq, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Goran Svillanoviq, Sekretari francez i Shtetit për Çështjet Evropiane, Harlem Désir, dhe nënsekretari italian i Shtetit për Punë të Jashtme, Vincenzo Amendola.

Pas përfundimit të punimeve, ministrat e jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor do të dalin edhe me një deklaratë të përbashkët për proceset e deritashme në rajonin tonë dhe me gjerë.
 
Takimi i ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit, vitin e kaluar ishte mbajtur në Prishtinë, kurse ai i radhës do të mbahet në muajin korrik të këtij viti në Paris.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)