Se shpejti pritet zbatimi i marrëveshjes së lirisë së lëvizjes

Prishtinë, 8 shtator - Më 5 shtator në Bruksel, nën kryesimin e zyrës së BE-së për ndërmjetësimin e dialogut teknik, u mbajt takimi i radhës i grupit të ekspertëve për zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes në mes të delegacioneve nga Republika e Kosovës dhe Serbia. 
Në këtë takim u diskutuan çështje të ndryshme për operacioanalizimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të arritur më 2 korrik 2011. 
Bazuar në këtë marrëveshje pritet që zbatimi i sajë të fillojë shumë shpejt, posa të përmbylljen përgatitjet e nevojshme teknike. 
Ndër çështjet kryesore në takim që u diskutuan ishin modalitetet e kalimeve kufitare për qytetarët, çështjet e tabelave të regjistrimit të automjeteve dhe zbatimi i polisave të sigurimeve kufitare. 
 
Në takim u theksua se kalimet kufitare duhet të jenë sa më të lehta dhe mos të marrin kohë në procedimin e qytetarëve nga të dyja palët në mënyrë që qarkullimi të jetë i lirshëm  dhe i papenguar. 
Po ashtu u theksua se tabelat e regjistrimeve të automjeteve që nuk janë në përputhje me ligjet në fuqi nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës duke filluar nga 1 nëntori 2011. 
Sa i përket sigurimeve kufitare, të dyja palët u dakorduan që çmimet e polisave të sigurimeve të automjeteve të jenë sa më të ulëta ashtu që të mos të ketë ngarkesa të panevojshme mbi qytetarët. 
Me zbatimin polisave kufitare, veturat e pasiguruara më nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës, ashtu siç ka ndodhur që nga viti 1999. 
  
















