Schultz: Kosova do ta ketë mbështetjen e Parlamentit Evropian
Bruksel, 17 shkurt - Sot, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Bruksel, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar kryetarin e Parlamentit Evropian, Martin Schultz.
Në takim u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë, sfidat me të cilat po përballet vendi ynë dhe aspiratat e popullit të Kosovës për integrime euro-atlantike.
Kryetari Veseli e njohu kreun e PE-së me të arriturat e Kosovës në tetëvjetorin e pavarësisë së saj, si dhe me angazhimet e parreshtura të Kuvendit e të institucioneve të Kosovës në përgjithësi, për tejkalimin e sfidave, zhvillimin e gjithanshëm dhe përmbushjen e obligimeve që dalin para tyre në rrugëtimin evropian të shtetit. Kreu i Kuvendit theksoi domosdoshmërinë për liberalizim të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës.
Është privilegj të shënojmë ditën e pavarësisë së Kosovës në Parlamentin Evropian. Kosova është storie e sukesit evropian, theksoi kryetari Veseli.
Kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schultz, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë për arritjet e deritashme të Kosovës dhe konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së institucionit që ai drejton, për Kosovën dhe aspiratat e saj euro-atlantike.
Kosova do ta ketë mbështetjen e Parlamentit Evropian, theksoi Schultz.
Pas takimit me z. Schultz, kryeparlamentari Veseli takoi edhe nënkryetaren e Parlamentit Evropian, njëherësh raportuese për Kosovën, Ulrike Lunaçek.
Kreu i Kuvendit e falenderoi znj. Lunaçek për mbështetjen e saj të pakursyer për Kosovën, në të gjitha fushat, veçanërisht në rrafshin e integrimeve europiane, duke shprehur përkhshtimin e institucioneve për realiizmin e detyrave që dalin në procesin euro-integures.