Schmitt i përkushtuar që të ndihmojë në lobimin për Kosovën

Budapest, 14 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në ditën e dytë të vizitës në Hungari, u prit me nderimet më të larta shtetërore nga presidenti i Hungarisë, zotëri Pal Schmitt.
Presidenti i Hungarisë, Pal Schmitt e vlerësoi lartë vizitën e parë të nivelit shtetëror të Presidentes Jahjaga pikërisht në Hungari dhe tha se vendi i tij është krenar që ishte në mesin e vendeve të para që e njohu pavarësinë e Kosovës.
Presidenti Schmitt tha se Hungaria ka qenë dhe vazhdon të jetë përkrahëse e të gjitha proceseve të Kosovës dhe do ta ndihmojë atë në rrugën e saj përpara.
Presidenti hungarez tha se vendi i tij mbështet perspektivën evropiane për Kosovën dhe theksoi se Hungaria ka kërkuar nga të gjithë partnerët evropianë që të vazhdojnë procesin e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Schmitt tha se nuk ka alternativë tjetër për vendet e Ballkanit perëndimor përveç anëtarësimit në BE dhe ky proces tha ai do të përmbyllet pasi të jenë plotësuar kushtet nga këto vende.
Ai tha se është i përkushtuar që të ndihmojë në lobimin për Kosovën tek vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë, veçanërisht tek dy fqinjët e Hungarisë, Sllovakia dhe Rumania, të cilat kanë komunitet hungarez në vendet e tyre, dhe që kjo është një nga arsyet pse këto dy vende ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Presidenti Schmitt tha se Hungaria do të hapë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në nismat rajonale dhe ato ndërkombëtare që do të ndihmonte vendin në thellimin e reformave dhe qartësimin e rrugës evropiane si dhe do të ndihmojë që Kosova të përfitojë nga liberalizimi i vizave.
Presidenti hungarez tha se marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Hungarisë duhet të thellohen edhe më tutje në fushën e ekonomisë dhe theksoi se duhet të inkurajohen bizneset hungareze për të investuar në Kosovë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e falënderoi presidentin Schmitt për pritjen madhështore dhe tha se Hungaria është mik dhe partner i ngushtë i Kosovës. Ajo tha se Hungaria e ka ndihmuar Kosovën në zhvillimin dhe avancimin e saj drejt integrimeve evropiane.
Presidentja Jahjaga i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si shumë të mira dhe theksoi nevojën e thellimit të tyre në fushën politike dhe ekonomike. Ajo tha se Hungaria e ka kaluar rrugën e anëtarësimit në BE dhe përvoja e saj do të shërbejë për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.
Presidentja Jahjaga tha se Kosovës i duhet marrëdhënia kontraktuale me BE-në, meqë kjo të qartësonte rrugën evropiane të saj me marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave. Ajo theksoi se anëtarësimi i plotë i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, në BE do të garantonte stabilitetin afatgjatë të rajonit.
Presidentja Jahjaga tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe integriteti territorial i saj i paprekshëm. Ajo tha se Kosova ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje dhe është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Presidentja tha se i ka dhënë përkrahje dialogut me Serbinë, i cili ka filluar të jap rezultate me arritjen e një numri marrëveshjesh, që lehtësojnë jetën e qytetarëve të te dyja vendeve.
Ajo tha se në këtë proces të dialogut nuk do të diskutohen çështjet e brendshme të Kosovës dhe integriteti territorial i saj.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Serbia kanë pasur një të kaluar jo gjithmonë të mirë, por ato mund ta planifikojnë të ardhmen dhe ta ndërtojnë atë për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe si dy shtete fqinje duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në rrugën e integrimeve evropiane.
Presidentja Jahjaga tha se e mirëpret mbështetjen e Hungarisë për pjesëmarrjen e Kosovës, si shtet i pavarur, në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Ajo tha se ndihma e Hungarisë në zhvillimin ekonomik të Kosovës do të ishte rëndësisë së veçantë dhe theksoi nevojën e inkurajimit të investitorëve hungarezë për të investuar në Kosovë.
Të dy presidentët kanë diskutuar edhe për një varg çështjesh të tjera që janë me interes për të dyja vendet.