Sanxhaku i paluhatshëm në mbrojtjen e Aqif Blytës
Shkruar nga Ismet Azizi
Novi Pazar, 1 shkurt - Çka mundet me ta ba i yti, i huaji kurrë nuk ta ban - kështu e komentojnë sanxhaklinjtë deklaratën e Rasim Lajiqit lidhur me idenë për ngritjen e qendrës memorial Haxhet, kushtuar viktimave të regjimit komunist, të cilën e quajti të pakuptimtë, në një emision televiziv të RTS të Beogradit.
Rasim Ljajiq e ka quajtur Aqif Blytën bashkëpunëtor të trupave gjermane duke e injoruar faktin se çetnikët dhe serbo-komunistët ishin okupator në Sanxhak. Duke aluduar në Aqif Blytën, Ljajiq deklaroi se ai ka dashtë ta shqiptarizoj Novi Pazarin duke lënë anash faktin se deri atëherë Novi Pazari dhe rrethina ishte e banuar me shumicë shqiptare. Mandej, kinse Aqif Blyta i ka thënë popullit se Ju nuk jeni boshnjak por shqiptarë. Më tutje, Ljajiq e fajëson Aqif Blytën edhe për hapjen e shkollave shqipe në këtë qytet.
Rasim Lajiq, i cili me prejardhje është nga Duga Pollana, vendbanim i banuar kryesisht nga familja e madhe Lajqi, familje tipike me prejardhje shqiptare. Në këtë fshat Shaban Polluzha ka mbajt fjalim kur u kishte ardhur në ndihmë kësaj treve në luftën për mbrojtjen nga depërtimi i aradheve çetnike të Drazha Mihajloviqit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo trevë atëherë ishte nën kontrollin e forcave gjermane.
Kur Shaban Polluzha kishte mbërri në Duga Pollanë afër Novi Pazarit me njësitë dhe forcat shqiptare për ta mbrojtur këtë popullatë nga shfarosja, iu ishte drejtuar banorëve me këto fjalë:
Vëllezër, jemi tubuar për të kryer një mision të shpejtë, për t`i mbrojtur familjet e rrezikuara nga bishat e egra çetnike, që po bëjnë terror të rëndë mbi popullatën e pafajshme të Sanxhakut. Prandaj, nuk duhet kursyer as jeta, por duhet luftuar me nder si i ka hije një populli të vjetër që diti të luftojë sa herë u gjend në rrezik dhe i pambrojtur. Pra, t`i mbrojmë fëmijët dhe gratë, në emër të njerëzisë.
Rasim Ljajiq është një mjek i cili kurrë nuk e ushtroi profesionin e tij. Pas formimit të PAD (SDA), lider i së cilës ishte Alia Izetbegoviq, i pakënaqur me tretmanin që e kishte, por edhe për tu vënë në shërbim të politikës së Beogradit, kishte formuar partinë SDP (PSD). Këtu mori përkrahjen e madhe të serbëve duke u vu krejtësisht në shërbim të politikës zyrtare serbe dhe së voni edhe në mbrojtjen e kriminelëve të cilët po përballën ende me drejtësinë në gjykatën e Hagës.
Sipas Ljajiqit, ideja për ngritjen e qendrës memoriale, është e pakuptimtë pa marrë parasysh që nuk ka fakte se Aqif Blyta iu ka shërbyer forcave okupuese gjermane. Në Novi Pazar diku rreth 50% e popullsisë është e papunë, dhe ky qytet ka shumë probleme me furnizimin me ujë dhe ka infrastrukturë të stërvjetruar. Duke e shfrytëzuar këtë gjendje Ljajiq ka deklaruar: ndërsa dikush dëshiron të gropoj në të kaluarën e largët 70 vjeçare dhe ta ndërtoj njëfarë qendre memoriale.
Në ndriçimin e figurës dhe personalitetit të Aqif Blytës më i zëshmi është lideri fetar i Sanxhakut myftiu Muhamer Zukorliq, i cili në manifestimin e mbajtur në sheshin e qytetit të Novi Pazarit, në prag të muajit të shenjtë Ramazanit në vitin 2012, pjesëmarrëseve iu drejtua me këto fjalë:
\"Dua të potencoj, se Aqif Efendia është hero i yni. Aqif Efendia e ka organizuar mbrojtjen e këtij qyteti nga çetnikët. Sikur mos të ishte bërë ky organizim atëherë numri i popullsisë boshnjake në këtë qytet do të ishte po aq sa ka Priboji, Pljevla dhe Novi Varoshi. Këtë të mirë ne atyre nuk do t\'ua harrojmë. Nuk do të pranojmë nga askush, të bëjnë atë çka e kanë bërë me dekada. Gjithmonë ka ekzistuar tentativa që lëvizjet ekstremiste tek populli serb dhe kroat, siç kanë qenë çetnikët dhe ustashët, që të gjendet dikush në popullin boshnjak, që edhe ne të gjendemi në at peshojë. Ne këtë nuk e kemi traditë.
Ndërsa ajo çka ka ndodhë në Sanxhak dhe në Novi Pazar, edhe pse ekzistojnë disa elemente të kolaboracionit me okupatorin gjerman, të gjithë e dinë , edhe miqtë edhe armiqtë se nuk ka ekzistur asnjë element i kolaboracionit ideologjik, përveç se ka qenë në pyetje domosdoshmëria e mbijetesës.
Krerët tanë në krye me Aqif Efendiun dhe të tjerët këtu në Sanxhak kanë luftuar me të gjitha mjetet e mundshme që këtë popullatë ta shpëtojnë, dhe në këtë kanë pas sukses, dhe na ua bëjmë hallall dhe iu qoftë e shenjt dhe për gjithmonë do tu jemi falënderues.
Ndërsa ata të cilët kanë hequr dorë nga Aqif efendiu ata me ne nuk kanë asgjë të përbashkët. Ata kanë hequr dorë nga feja jonë, nga kultura jonë, nga kombi ynë, tradita jonë, dhe unë në këtë natë të shenjtë nuk dua të flasë për ta asgjë.
Qendra memoriale planifikohet të ndërtohet në lagjen Haxhet, në vendin ku janë ekzekutuar rreth 2000 persona të cilët qenë shpallur nga pushteti komunist si armiq të popullit kurse shumica prej kanë qenë shqiptarë.
Aqif Blyta, poashtu i ekzekutuar në këtë vend, që nga themelimi i Xhemijetit ishte udhëheqës politik e ushtarak i Sanxhakut dhe pjesëmarrës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Vendimin për ndërtimin e memorialit e ka paralajmëruar Bashkësia Islame para dy viteve, pasi që Rasim Ljajiq, me ndihmën e xhandarmërisë serbe, tentoi të grabiste hapësirën e Vakafit ( pronës së Bashkësisë Islame) në Haxhet.