Sanksionet ndaj sektorit rus të energjisë në përputhje me ligjin
Bruksel, 17 shtator - Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) ka vendosur se sanksionet ekonomike të vendosura kundër sektorit energjetik rus janë në përputhje me ligjin.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë, Gjykata Supreme e Bashkimit Evropian me seli në Luksemburg, doli me vendim lidhur me procesin gjyqësor të ngritur nga kompania ruse e energjisë Rosneft.
Gjykata hodhi poshtë ankesën e ndërmarrjes ruse të naftës Rosneft kundër vendimit mbi sanksionet ekonomike që BE-ja vendosi ndaj Rusisë.
Në vendimin e gjykatës thuhet se sanksionet u vendosën me qëllim për të bërë presion mbi Rusinë për shkak të rolit të saj në krizën ukrainase, në përputhje me ligjin.
Me këtë vendim, GJED justifikoi masat kufizuese të vendosura nga Këshilli Evropian kundër bankave ruse dhe kompanive të naftës dhe gazit.
Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë dhe qytetin e Sevastopolit më 18 mars 2014.
Pas aneksimit të Krimesë dhe ngjarjeve në Ukrainën lindore, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të tjera filluan të vendosnin sanksione ekonomike ndaj Rusisë.
Në kuadër të sanksioneve ekonomike, vendet anëtare të BE-së nuk i shesin armë Rusisë. Sanksionet ndalojnë Rusinë të blejë pajisje të caktuara teknologjike të përdorura në sektorin e naftës dhe gazit nga vendet e BE-së. Gjithashtu, bankat shtetërore ruse përjashtohen nga sektori financiar në Evropë.