Rusia voton sot për Presidentin

Presidenti aktual,Vladimir Putin kërkon mandatin e tij të katërt në këtë post dhe përballë ka 7 kandidatë të tjerë.
Presidenti në detyrë, Putin 65-vjeç, teksa ka votuar në Moskë ka thënë se çdo pjesëmarrje e votuesve që do t’i lejojë presidentit të përmbushë detyrat e tij është një “sukses”.
“Jam i sigurt se programi që unë ofroj është i duhuri”, citohet të ketë thënë Putin.
Putin është udhëheqësi dominant i Rusisë që nga viti 1999, si President ose si Kryeministër.
Rezultatet e para të këtyre zgjedhjeve pritet që të shpallen pasditen e së dielës.
Në zgjedhjet presidenciale marrin pjesë tetë kandidatë, por shtatë kandidatët e tjerë, sipas sondazheve, qëndrojnë shumë larg Putinit. Sipas sondazheve, kandidati i Partisë Komuniste Pavel Grudinin pritet t5 fitojë 7 për qind të votave, ndërkaq gazetarja Ksenia Sochak 2 për qind.
Kandidatët e tjerë përfshijnë Vladimir Zhirinovsky, Sergei Baburin, Maksim Suraikin, Boris Titov dhe Girogy Yavlinsky.
Por, opozitari kryesor i Putinit, Alexei Navalny, nuk është lejuar që të marrë pjesë në këto zgjedhje presidenciale për një dënim për mashtrim, për të cilin Navalny thotë se është i motivuar politikisht.
Raportohet se pjesëmarrja e votuesve në Lindjen e Largët të Rusisë tashmë është më e lartë se sa ka qenë në zgjedhjet e vitit 2012.
Në disa fshatëra në Kamchatka dhe Chukotka raportohet se dalja në zgjedhje është 100 për qind.
Grupi i pavarur për monitorimin e zgjedhjeve Golos, ka raportuar për parregullsi gjatë votimeve, përfshirë edhe vendosjen e kutive të votimit larg kamerave të vëzhgimit dhe ndryshimet në minutën e fundit në regjistrin e votuesve, që besohet se bëhet për të rritur pjesëmarrjen në zgjedhje.