Rusia, shteti më i sanksionuar në botë
Moskë, 8 mars - Sipas të dhënave të fundit, Rusia është bërë vendi më i sanksionuar në botë për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës.
Moska i është nënshtruar 2.778 sanksioneve të reja në pak më pak se dy javë që kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi dërgimin e trupave në Ukrainë, duke e çuar totalin në 5.532, sipas bazës së të dhënave globale të monitorimit të sanksioneve Castellum.ai.
Si krahasim, Irani është përballur me 3.616 sanksione, i ndjekur nga Siria dhe Koreja e Veriut, me përkatësisht 2.608 dhe 2.077 sanksione.
Venezuela me 651 sanksione, Mianmari me 510 sanksione dhe Kuba me 208 sanksione janë në listën e vendeve më të sanksionuara në botë.
Vendi me më shumë sanksione ndaj Moskës është Zvicra, me 568. Pasohet nga Bashkimi Evropian me 518 sanksione, Franca me 512 sanksione, Kanadaja me 454 sanksione dhe Australia me 413 sanksione. SHB-ja ka vendosur 243 sanksione kundër Rusisë deri më tani.
Sanksionet përfshijnë 2.427 individë, 343 organizata, gjashtë anije dhe dy avionë.
Putin të shtunën tha se sanksionet perëndimore kundër Rusisë janë të ngjashme me shpallje lufte.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar dënimin ndërkombëtar, ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një eksod të firmave globale nga Rusia. Perëndimi ka vendosur gjithashtu kufizime të mëdha eksporti për teknologjitë kryesore që tani janë të ndaluara të dërgohen në Rusi.