Rusia shkatërron digën në Ukrainë, evakuohen dhjetëra mijëra banorë
Herson, 6 qershor - Rusia e ka sulmuar një digë të madhe në lumin Dnjepër në rajonin e Hersonit të Ukrainës të pushtuar nga Rusia.
Pas këtij sulmi, Ukraina ka urdhëruar evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve nga ajo zonë, shkaku i rrezikut për përmbytje masive.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e thirri një takim emergjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes për ta diskutuar gjendjen në këtë zonë.
“Terroristët rusë”, shkroi Zelensky në Twitter, duke shtuar se shkatërrimi i digës “vetëm e konfirmon për të gjithë botën se ata duhet të përjashtohen nga çdo qoshe e tokës ukrainase”.
“Terroristët nuk do të jenë në gjendje ta ndalin Ukrainën me ujë, raketa apo çfarëdo tjetër”, shtoi Zelensky
Oleksandr Prokudin, guvernatori i Hersonit, rajon në lindje të Ukrainës, ka njoftuar për evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara nga përmbytjet, pas raportimeve se forcat ruse shkatërruan një sigë të lumit Dnjepër në Nova Kahovka.
“Brenda pesë orëve, niveli i ujit do të arrijë një nivel kritik. Ka filluar evakuimi nga zonat e rrezikshme. Unë u bëj thirrje veçanërisht banorëve në bregun e majtë [të Dnjeprit]: bëni gjithçka që është e mundur për ta mbrojtur veten dhe për ta shpëtuar jetën tuaj. Largohuni menjëherë nga zonat e rrezikshme”, tha Prokudin.
“Unë mund ta konfirmoj se shpërthimi [ka ndodhur]…. Të gjitha shërbimet janë duke punuar. Situata po monitorohet. Hidrocentrali u hodh në erë nga pushtuesit”, i tha Radios Evropa e Lirë Natalia Humenyuk, zëdhënëse ushtarake për forcat jugore të Ukrainës.
Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit ukrainas të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, tha se Presidenti Volodymyr Zelensky kishte thirrur një takim urgjent të Këshillit për ta diskutuar situatën.
Incidenti në në Herson pason mohimet nga Kievi për pretendimet e Rusisë se forcat e saj e kishin zmbrapsur një ofensivë të shumëfishte ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut.
Kievi i hodhi poshtë këto pretendime, duke i quajtur atë një përpjekje për dezinformim ndërsa mohoi se kishte nisur kundërsulmin e shumëpritur për të rimarrë territorin e humbur që nga pushtimi i Moskës në shkurt të vitit 2022.
Megjithatë, Kievi tha më 5 qershor se forcat ukrainase po “kalonin në veprime sulmuese” në disa zona dhe po kryenin operacione në shkallë të vogël. /REL
Agjencia ukrainase e energjisë nukleare paralajmëroi se shkatërrimi i digës Nova Kahovka mund ta rrezikojë centralin bërthamor në Zaporizhja, që përdor ujë nga ky rezervuar për procesin e ftohjes së reaktorëve bërthamorë.
Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se është duke e monitoruar situatën dhe shtoi se “nuk ka ndonjë rrezik të menjëhershëm të sigurisë” në centralin bërthamor.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se sulmi ndaj digës e tregon “edhe një herë brutalitetin e luftës ruse në Ukrainë”.