Rusia paralajmëron Perëndimin për sanksionet
Moskë, 19 mars - Rusia paralajmëron Perëndimin për sanksionet Rusia i ka cilësuar të papranueshme sanksionet e Perëndimit në lidhje me çështjen e Krimesë dhe ka kërcënuar se do të ketë pasoja.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka paralajmëruar Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, nëpërmjet një telefonate duke i thënë se sanksionet e vendosura do të kenë pasoja.
Banorët e Krimesë bënë zgjedhjen e tyre demokratike në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe Rusia e pranon dhe e respekton zgjedhjen e tyre. Sanksionet e vendosura nga SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të kalojnë pa pasoja, lexohet në një komunikatë të Lavrovit, i cili nuk saktësoi se cilat do të ishin këto pasoja.
Ditën e djeshme, autoritetet ukrainase njoftuan vdekjen e një oficeri në një bazë ushtarake në rajonin e Krimesë, e para që nga marrja nën kontroll e gadishullit prej forcave ruse në muajin shkurt.
Në një njoftim për mediat, drejtuesit e lartë ushtarakë ukrainas thanë se vrasja e oficerit ukrainas ndodhi në një bazë në kryeqytetin e Krimesë, në Simferopol. Sipas tyre, i gjithë personeli ushtarak i bazës është arrestuar prej trupave ruse.
Sulmi ndodhi pak pasi presidenti Putin dhe udhëheqësit e rinj të Krimesë nënshkruan marrëveshjen që përfshin gadishullin në Federatën Ruse.