Rusia nuk do ta njohë Kosovën

Prishtinë, 19 nëntor - Në konferencën Gërmia Hill, ku u diskutuan problemet panevropiane, nuk kanë munguar gazetarë e pjesëtarë të shoqërisë civile nga Rusia, që njihet si kundërshtarja e ashpër e pavarësisë në pothuaj çdo mekanizëm ndërkombëtar, ndërsa kjo gjë është pohuar edhe nga gazetari rus i Radios Kommersant, Konstantin von Eggert, i cili tha se duhet një punë e madhe për të ndryshuar qasjen e Rusisë karshi Kosovës.
Nuk mendoj se ka shanse që Kosova të njihet në të ardhmen e afërt nga Rusia. Kjo kërkon ndryshime masive në qëndrimin e politikës së jashtme të Rusisë dhe në politikën e brendshme, që në thelb e sheh perëndimin si konkurrencë.
Ngjarjet e vitit 1999, kur perëndimi ushtroi fuqinë për të bërë diçka, në Rusi ende shihen si të padrejta, ka thënë Eggert për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka theksuar se shumë gjëra do të varen edhe nga zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, në relacionet ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mundësinë e Rusisë që ta shohë perëndimin më tepër si partner sesa si kërcënim, apo konkurrencë.
Eggert tha që beson se vetëm një përmirësim i raporteve Kosovë-Serbi do të mund të ndryshonte qasjen ruse karshi shtetit të ri.