Rusia mbështet hetimet për trafikimin e organeve në Kosovë
Prishtinë, 19 prill - Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, tha sot në Beograd se raportet e Serbisë me Rusinë sa vijnë e forcohen.
Lavrov filloi sot vizitën e tij treditore në Ballkan. Fillimisht ai po qëndron në Beograd, ku zhvilloi bisedime me homologun e tij serb, Vuk Jeremic.
Forcimi i marrëdhënieve mes Rusisë dhe Serbisë nuk rrezikon integrimet evropiane të Serbisë, thanë Lavrov dhe Jeremic.
Po ashtu Lavrov deklaroi se Rusia do të mbështesë iniciativën e Serbisë për fillimin e hetimeve nën mandatin e KS të OKB-së për, siç u shpreh ai, tregtinë ilegale me organe të njerëzve në Kosovë.
Lavrov takohet në Beograd edhe me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq. Temë qendrore e bisedimeve do të jetë bashkëpunimi mes dy vendeve përfshirë dhe raportet tregtare dhe ekonomike.
Një prej temave do të jetë edhe Kosova. Në orët e pasdites Lavrov vazhdon vizitën e tij në Mal të Zi, ku në Podgoricë do të takohet me kryeministrin Igor Llukshiq, presidentin Filip Vujanovic dhe kryeparlamentarin Ranko Krivokapiq.
Sipas njoftimeve nga ministria e Jashtme malazeze sot pritet të nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Arkivit shtetëror të Malit të Zi dhe Agjencisë shtetërore të arkivave të federatës ruse.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov gjatë qëndrimit të tij treditor në Ballkan do të vizitojë edhe Maqedoninë dhe Slloveninë.