Rusia kërkon rezolutë të OKB-së për Kosovën
Moskë, 2 mars - Moska zyrtare vlerëson se zgjidhja e çështjes së Kosovës është e mundur vetëm me negociata në bazë të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB.
Në një deklaratë të Ministrisë Jashtme të Rusisë, thuhet se, këtë qëndrim të Moskës e ka shfaqur zëvendësshefi i diplomacisë ruse, Vladimir Titov gjatë takimit me të shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier në Moskë, njoftoi RIA Novosti.
Nga pala ruse është konfirmuar edhe njëherë pozicioni i mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ndërkohë, shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov i bëri thirrje Beogradit e Prishtinës që të fillojnë bisedimet.
Ai shfaqi shpresën se kjo do të ndodhë shpejt. Ka ardhur koha për t`u ulur rreth tryezës së bisedimeve, ka thënë në Gjenevë kryediplomati rus, ku ka marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare për çarmatim.