Rusia gjithnjë e më të izoluar nga bota
Moskë, 5 mars - Që kur filloi pushtimi rus në Ukrainë, Rusia e ka gjetur veten gjithnjë e më të izoluar. Rezoluta e OKB-së që dënon pushtimin, e miratuar të mërkurën nga shumica e vendeve të botës, tregon izolimin e saj politik.
Sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë intensifikuar dhe janë bërë edhe më shkatërruese se sa pritej, duke e izoluar Rusinë edhe ekonomikisht.
Së fundi, që nga e premtja, Rusia e ka gjetur veten gjithnjë e më të shkëputur edhe nga pikëpamja mediatike, për shkak të një ligji të miratuar nga parlamenti që dënon me burgim deri në 15 vjet ata që përhapin “lajme të rreme” për pushtimin e Ukrainës, ose që “diskreditojnë forcat e armatosura ruse”. Për këtë arsye, shumë media të pavarura, përfshirë BBC, CNN, ABC News dhe Bloomberg kanë pezulluar aktivitetet e tyre në vend.
Sipas drejtorit të Bloomberg, John Mickethwait, ligji i ri “duket i shkruar për t’i shndërruar gazetarët e pavarur në kriminelë, duke e bërë gjithçka të pamundur për të zhvilluar një gazetari normale në vend”.
Novaya Gazeta, e cila është një nga mediat e pakta të pavarura ruse, redaktori i së cilës fitoi Çmimin Nobel për Paqen vitin e kaluar, ka njoftuar gjithashtu se do të ndalojë raportimin për pushtimin e Ukrainës.
Redaksia e gazetës tha se do të vazhdojë të shkruajë për pasojat “socio-ekonomike” të luftës, por jo për operacionet ushtarake. Kjo ndodh për shkak të frikës, pasi ata që raportojnë lajme që nuk përputhen me versionin zyrtar rus, mund të burgosen.
Izolimi i Rusisë theksohet edhe nga një vendim tjetër i qeverisë ruse, bllokimi në vend i aksesit në Facebook dhe Twitter. Sipas Roskomnadzor, agjencia shtetërore e komunikimit, tha se dy platformat e rrjeteve sociale dyshohet se po operojnë kundër medias ruse, veçanërisht ndaj faqeve të Russia Today (RT) dhe agjencisë së lajmeve RIA Novosti.
Ndërkohë, kompanitë e tjera po pezullojnë operacionet e tyre tregtare në Rusi, kjo edhe për shkak të solidaritetit me Ukrainën. Për shembull, Apple, Samsung dhe Microsoft, të cilat janë tre nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë, e kanë bërë këtë.
Samsung ka njoftuar se do të ndalojë eksportimin e të gjitha produkteve të saj në Rusi, duke përfshirë mikroçipet dhe telefonat inteligjentë, ndërsa Apple ka pezulluar shitjen e iPhone në Rusi, si dhe ka hequr aplikacionet RT News dhe Sputnik nga App Store News dhe ka kufizuar përdorimin e shërbimit të saj të pagesave, Apple Pay.
Kompania e fundit që pezulloi operacionet në Rusi ishte PayPal, një kompani amerikane që operon një nga shërbimet më të njohura të pagesave në internet.