Rusia e quan manipulim të Kosovës heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe
Moskë, 7 prill - Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një deklarate, ka shprehur qëndrimin lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës në detyrë, për heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe dhe vendosjen e masës së reciprocitetit.
“Autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të manipulojnë me temën e heqjes së tarifave doganore 100 për qind për mallrat nga pjesa qendrore e Serbisë, të cilat u vendosën në nëntor 2018, dhe rezultuan që procesi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës të ndalet", thuhet në deklaratë.
Nga 1 prilli, Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr tarifën 100 për qind ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës.
Në rastin e Serbisë, atë e ka zëvendësuar me masa reciprociteti, kurse ndaj Bosnjës nuk ka marrë ndonjë masë shtesë.
Por, për autoritetet ruse, ky vendim është “një gjest tjetër i demagogjisë së ushtruesit të detyrës së kryeministrit, Albin Kurti".
“Kështu, kosovarët nuk e kanë zbutur qëndrimin, ashtu siç u kërkuan mbrojtësit e tyre perëndimorë, por përkundrazi i forcuan parakushtet e tyre. Është thënë se edhe Uashingtoni, i cili mbështet plotësisht ‘pavarësinë e Kosovës’, ishte kritik për veprimin e fundit të Prishtinës. Ky veprim me qëllim e vonon mundësinë e rifillimit të dialogut me Beogradin”, thuhet në deklaratë.
Rusia e quan të çuditshëm edhe reagimin e Bashkimit Evropian, pasi që, siç thuhet BE-ja “duhet të përgjigjet me një vlerësim të matur të situatës pa favorizuar asnjë nga palët”.
Moska kërkon nga autoritetet e Kosovës heqjen pa kushte të masave ndaj Serbisë.