Rusia do të nisë kërkimin e të dyshuarve për rrëzimin e avionit
Moskë, 18 nëntor - Ministria e Jashtme e Rusisë deklaroi të mërkurën se rrëzimi i avionit "Airbus A 321" në Egjipt është shkaktuar nga terroristët dhe me kërkesë të presidentit Vladimir Putin, Rusia do të nisë kërkimin e autorëve.
Në deklaratë thuhet se autoritetet ruse do të nisin kërkimin me synim arrestimin e të gjithë të dyshuarve.
Rusia u kërkon të gjitha vendeve, organizatave dhe individëve të ofrojnë mbështetjen e tyre për këtë gjë.
Rusia ka deklaruar se sulmet terroriste në Francë, Bejrut, Ankara, Irak dhe Egjipt janë veprime çnjerëzore.
Deklarata thekson se Rusia do të veprojë në përputhje me nenin 51 të Kartës së OKB-së për mbrojtjen e vendit.
Shefi i shërbimit rus të sigurisë, tha të martën se rrëzimi i avionit muajin e kaluar në Sinai të Egjiptit, ishte akt terrorist dhe mbetje të mjeteve shpërthyese janë gjetur në rrënojat dhe bagazhin e avionit.
Sipas shefit të Sherbimit Federal të Sigurisë ,Alexander Bortnikov, shpërthimi ishte shkaktuar nga një mjet i improvizuar shpërthyes i përbërë nga 1.5 kilogram TNT.
Avioni rus Metrojet A-321 po fluturonte nga qendra turistike egjiptiane Sharm el-Sheikh për në Shën Peterburg më 31 tetor kur u rrëzua në pjesën veriore të gadishullit të Sinait, duke lënë pas vetes 224 të vdekur.
Militantët që po pohojnë se janë të lidhur me grupin Shteti Islamik, morën përgjegjesinë për rrëzimin e avionit dhe shumë qeveri kanë shprehur besimin se avioni ishte rrëzuar nga një mjet shpërthyes.