Rusia aktivizon tre radarë, pas rritjes së tensioneve në Korenë e Veriut
Moskë, 21 dhjetor - Rusia ka aktivizuar tre stacione të radarëve për paralajmërim të hershëm, ashtu që të identifikojë sulmet me raketa afër kufirit juglindor, duke përfshirë kufirin e saj me Korenë Veriore.
Testimet e vazhdueshme të Phenianit kanë rritur frikën për ndonjë konflikt të mundshëm.
Zëvendës komandati për forcat ajrore ruse, Aleksandr Golovko, ka njoftuar se “për herë të parë në histori”, detektorët e raketave, Voronezh kanë filluar punën e tyre në rajonet, Krasnoyarsk, Altai dhe Orenburg.
Stacionet e reja të radarëve janë afër kufirit të Rusisë me Kazakistanin dhe Mongolinë, mirëpo në një rreze veprimi prej 6,000 kilometrash kanë edhe Gadishullin Korean.
Kremlini ka aktivizuar sistemet e radarëve Vorenezh-DM, për të mbuluar aktivitetin e kufinjëve perëndimorë më 2011.
Moska i ka testuar pajisjet më herët gjatë këtij viti pasi në qershor ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se sistemi me bazë në Krasnoyarsk, ka vërejtur nisjen e gjashtë raketave balistike në verilindje të Paqësorit.
Golovko nuk e ka përmendur ndonjë shtet si rrezik.
Mirëpo ky hap i Rusisë vjen në kohën e rritjes së tensioneve me Korenë Veriore, pasi kjo e fundit po teston vazhdimisht bomba bërthamore dhe raketa balistike.
Rusia ka kundërshtuar ambiciet e Phenianit për armë bërthamore, mirëpo po ashtu ka akuzuar Uashingtonin për armiqësim me Korenë Veriore, duke u bërë thirrje të dyja palëve për dialog të drejtpërdrejtë.
Një këshilltar i lartë i Kremlinit ka thënë më herët gjatë këtij muaji se qëllimi kryesor i Moskës është të parandalohet lufta, mirëpo është duke përgatitur një skenar në rast se situata përshkallëzohet.