Rrëzohet aeroplani, vdes presidenti polak Lez Kazçinski
Varshavë, 10 prill - Sot është rrëzuar në afërsi të aeroportit të Smolenskut në perëndim të Rusisë një aeroplan me të cilin po udhëtonte presidenti polak Lech Kaczynski. Në avion ndodhej edhe e shoqja e tij.
Lajmi u konfirmua prej zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme polake Piotr Pszkowski. Sipas zëdhënësit, avioni preku maja pemësh, u rrëzua dhe mori zjarr.
Autoritetet ruse konfirmuan vdekjen e 132 personave, që gjendeshin në aeroplanin që u rrëzua në aeroportin e Smolenskut, në perëndim të Rusisë. Në aeroplan gjendej presidenti polak, bashkëshortja e tij dhe shumë zyrtarë të lartë të Polonisë.
Presidenti polak, Lez Kazçinski, bashkëshortja e tij dhe të 130 pasagjerët që gjendeshin në bordin e aeroplanit TU-154 kanë vdekur. Aeroplani u rrëzua në orën 11 sipas orës lokale, derisa ulej në qytetin Smolensk të Rusisë.
Guvernatori i Smolenskut, Sergei Antufiev, tha se aeroplani u rrëzua mbi pemë dhe u nda në copa. Burimet zyrtare thonë se mjegulla e dendur mund të jetë një nga shkaqet e rrëzimit të aeroplanit.
Antufiev ishte i pari që deklaroi zyrtarisht se nuk ka asnjë të mbijetuar nga aksidenti. Presidenti polak, Kazçinski, po udhëtonte për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore të të vrarëve gjatë Luftë së Dytë Botërore në Katin.
Ai shoqërohej në aeroplan nga shefi i shtabit të ushtrisë polake, zëvendësministri i Jashtëm, Andrezej Kremer, guvernatori i Bankës Qendrore të Polonisë, Sllavomir Skrzipek, dhe një numër zyrtarësh të tjerë të lartë polakë.
Autoritetet e Bjellorusisë kanë paralajmëruar aeroplanin polak për motin e keq. Drejtoria e aviacionit të Bjellorusisë thotë se i ka njoftuar pilotët e aeroplanit në të cilin gjendej Kaçinjski për kushtet e këqija për aterrim, por ata megjithatë kanë vendosur të aterrojnë.
Presidenti rus Dmitri Medvedev ka urdhëruar ngritjen e një komisioni hetimor për të zbardhur shkaqet e tragjedisë, ku mbetën të vdekur presidenti polak.
Medvedev ka caktuar në krye te komisionit vetë kryeministrin Vladimir Putin, ndërsa në vendngjarje ka dërguar ministrin rus të Mbrojtjes Civile. Lajmin e bën të ditur agjencia Itar-Tass, duke theksuar se hyrja në zonën e aksidentit është shumë e vështirë.