Rregulla të reja për vizë në SHBA, kontroll edhe rrjeteve sociale
Washington, 31 mars - Administrata Trump bëri të ditur se dëshiron të grumbullojë historikun e mediave sociale të thuajse çdo personi që kërkon vizë për të hyrë në SHBA.
Propozimi, i cili vjen nga Departamenti i Shtetit, do t’i kërkonte shumicës së aplikuesve për vizë të jepnin detaje mbi llogaritë e tyre në “Facebook” dhe “Twitter”.
Po kështu, personave në fjalë do t’iu duhet të zbulojnë të gjitha identitetet e përdorura gjatë 5 viteve të fundit në platformat sociale.
Nga një propozim i tillë mund të preken rreth 14.7 milionë njerëz në vit. Informacioni do të përdoret për të identifikuar dhe vëzhguar ata që kërkojnë viza emigruese dhe jo emigruese.
Aplikantëve do t’u kërkohen gjithashtu për 5 vjet numra telefoni, adresa elektronike dhe historiku i udhëtimit. Ndër të tjera, do t’iu duhet edhe të thonë nëse janë dëbuar ndonjëherë nga një vend ose nëse ndonjë i afërm i tyre është përfshirë në veprimtari terroriste.
Propozimi nuk do të prekë qytetarët nga shtetet të cilat SHBA-ja u ka dhënë statusin e udhëtimit pa viza – mes tyre Britania e Madhe, Kanadaja, Franca dhe Gjermania, ndërsa mund të prekë shtetasit e vendeve të pa përjashtuara si India, Kina dhe Meksika që do të duan të vizitojnë Amerikën për punë ose festë.
Një lëvizje e tillë pason premtimet e presidentit Donald Trump për një verifikim ekstrem të të huajve që hyjnë në Amerikë me qëllimin të luftohet terrorizmi.