Rompuy konfirmoi perspektivën evropiane të Kosovës
Bruksel, 18 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot me Presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel.
Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Rompuy biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti të Kosovës, për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Të dy bashkëbiseduesit folën edhe për marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Kosovës, përfshirë edhe përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave si dhe të studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si dhe për praninë e misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës..
Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Rompuy theksuan perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit.
Presidenti Rompuy vlerësoi lartë angazhimin e Presidentes Jahjaga për ndërtimin e konsensusit të brendshëm dhe për promovimin e të ardhmes evropiane të Kosovës.
Presidenti Rompuy konfirmoi perspektivën evropiane të Kosovës dhe vlerësoi se viti 2012 është një vit produktiv në marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Ai tha se Kosova po bën përparime në rrugën e saj drejt BE-së por theksoi nevojën e thellimit të reformave në agjendën evropiane, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit, reformën e administratës publike, atë zgjedhore dhe integrimin e komuniteteve.
Nderkaq Jahjaga ka thene se Republika e Kosovës ka bërë përparime në agjendën e saj evropiane.
"Kemi marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave dhe shpresojmë se së shpejti qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së sepse qytetarët e Kosovës janë të vetmit nga e gjithë Evropa që nuk e gëzojnë këtë të drejtë. Kemi marrë Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit dhe institucionet e Kosovës dhe të gjithë qytetarët janë të përkushtuar që të përmbushin të gjitha obligimet dhe të përshpejtojnë procedurat", ka theksuar Jahjaga.
Republika e Kosovës me vlerësimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, në shtator sipas saj do të përmbyllë suksesshëm fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë së saj.
"Është ky një sukses i përbashkët i qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës dhe i misioneve ndërkombëtare, që dhanë ndihmë të pakursyer që nga çlirimi i Kosovës në vitin 1999. Jemi duke i bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore që deri në shtator të gjitha obligimet të kalojnë në institucionet vendore duke dhënë të gjitha garancitë e nevojshme për të drejtat dhe liritë e komuniteteve, për trashëgiminë kulturore, historike e fetare si dhe proceset demokratike në përgjithësi, që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes, lirinë e lëvizjes, qarkullimin e lirë të mallrave dhe kapitalit, si dhe ndarjen e pushteteve e pavarësinë e gjyqësorit."
Ajo ka theksuar se me procesin e decentralizimit nga 38 komuna 10 komuna janë me shumicë etnike serbe, ndërsa një me shumicë etnike turke dhe në këto komuna kemi bartur kompetenca që sigurojnë një vetëqeverisje të gjerë.
Jahjga ka pohuar se tri komunat në veri të Kosovës ende nuk e kanë përqafuar këtë proces, por po bëjmë përpjekje që deri në zgjedhjet e ardhshme komunale të tria këto komuna të përfshihen në sistemin e qeverisjes duke shfrytëzuar të drejtat që u jep Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.