13 Maj 2024

Rompuy: Duam ta shohim Kosovën më afër Bashkimit Evropian

Bruksel, 6 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bruksel, u takua edhe me kryetarin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy.

Në një deklaratë bërë pas takimit, Presidentja Jahjaga tha se kishte një takim shumë të mirë dhe të frytshëm me zotëri Herman Van Rompuy, të cilin e njoftova për gjendjen aktuale në Kosovë.

\"Nga zoti Rompuy kërkova që në kuadër të përcaktimit të drejtimeve kryesore politike për integrimin evropian të gjendet modeli i përshtatshëm, konkret, për rrugën e integrimit të Kosovës në BE.\"

\"Theksova se mosnjohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, të pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk duhet  të jetë pengesë dhe nuk duhet të ndikojë që Kosova të mbetet jashtë agjendës evropiane në marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave\", tha Presidentja Jahjaga.

Pavarësia e Kosovës sipas saj është një përfundim i një procesi të mirë në të cilin Bashkimi Evropian dhe NATO kanë dhënë kontribut të rëndësishëm dhe për këtë populli dhe vendi im i është falënderues atyre.

\"Kosova shtet sovran dhe i pavarur u dëshmua si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe është përfundim i natyrshëm i procesit të dezintegrimit në njësi federale të Jugosllavisë\", vijoi Presidentja Jahjaga.

Presidentja Jahjaga tha se shteti i Kosovës, në tërësinë e vet territoriale dhe me sovranitet të plotë, nuk ka alternativë, sepse si shtet qytetar, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve, është shembull i mirë kundër politikave të ndarjeve dhe copëzimeve në vija etnike.

Republika e Kosovës, tha ajo, është demokraci parlamentare e ndërtuar në parimin qytetar me të drejtat e garantuara për të gjitha bashkësitë etnike. Për këtë propozimet për ndarjen e Kosovës si kusht për pranimin e pavarësisë së Kosovës janë të papranueshme, antihumane dhe antihistorike.

Presidentja tha se e ka njoftuar zotin Rompuy për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe e ka falënderuar për fasilitimin e mirë të këtij procesi nga BE-ja.

Dialogu duhet të ketë sukses, sepse nuk ka alternativë tjetër dhe nuk ka mënyrë tjetër që të zgjidhen çështjet, përveç bisedimeve dhe kompromisit të ndërtuar mbi standardet dhe përvojën e BE-së.

Secila marrëveshje e arritur në këtë dialog duhet të prodhojë zgjidhje evropiane sepse edhe Kosova edhe Serbia duhet sa më shpejt të bëhen anëtare të BE-së dhe në këtë proces duhet ta ndihmojnë njëra tjetrën si vende fqinje, që është në interes të dy popujve dhe të paqes e stabilitetit.

Republika e Kosovës është e gatshme dhe është e aftë të përmbushë të gjitha obligimet për t’u bërë vend anëtar i BE-së në këtë segment edhe i NATO-s, me të cilën gjë Kosova futet në bashkësinë e shteteve të lira dhe të barabarta të Evropës me çka përmbushet synimi ynë politik që të jemi pjesë e civilizimit evropian dhe të japim kontributin tonë në proceset bashkëkohore, tha Presidentja Jahjaga.

Zonja Jahjaga gjithashtu se e ka falënderuar zotin Rompuy për ndihmën dhe angazhimin e deritashëm të institucioneve evropiane në Kosovë dhe theksoi se me këto institucione është një bashkëpunim i mirë institucional dhe ato gëzojnë përkrahjen dhe nderimin e popullit të Kosovës për punën dhe angazhimin që po e bëjnë.

Kryetari i Këshillit Evropian, z.Herman Van Rompuy tha ndër të tjera se të 27 vendet e Bashkimit Evropian janë të përkushtuara për të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit ballkanik.

Ai tha se inkurajon Presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Atifete Jahjaga që të vazhdojë me angazhimet e mëtutjeshme për afrimin e Kosovës drejt BE-së.

Rompuy gjithashtu shfaqi shpresën se së shpejti do të arrihet deri te hapja e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ai tha se Bashkimi Evropian i kushton  shumë rëndësi luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në këtë kuadër kërkon edhe forcimin e mëtejmë të sundimit të ligjit në Kosovë.

Ai gjithashtu shtoi se Kosova duhet të shfrytëzojë më shumë ndihmën e EULEX-it, që shërben si urë lidhëse mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Rompuy tha se të gjithë dëshirojmë që ta shohim Kosovën më afër Bashkimit Evropian.

Në këtë drejtim, shtoi ai, rezultatet e fundit janë inkurajuese dhe për këtë mund të llogaritni në ndihmën e Bashkimit Evropian.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)