Rohan: Të ndërmerren veprime kundër iniciativës serbe
Vjenë, 21 prill - Një përpjekje e menjëhershme dhe e koordinuar për sigurimin e njohjeve të reja duhet të jetë në krye të agjendës së Prishtinës dhe të përkrahësve perëndimor të pavarësisë së Kosovës, menjëherë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të dalë me opinionin e saj rreth pavarësisë së Kosovës, ka vlerësuar diplomati austriak, Albert Rohan.
Rohan, njeriu i cili bashkë me ish-presidentin finlandez, Martti Ahtisaari, patën ndërmjetësuar në bisedimet për statusin e Kosovës, ka tërhequr vërejtjen se pasi që GJND-ja të japë mendimin e vet, për të cilin thotë se pret të mos jetë në favor të ndonjërës palë posaçërisht, shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën duhet të ndërmarrin veprime kundër një iniciative që pritet të ndërmarrë Serbia për të rihapur çështjen e statusit të Kosovës përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Rohan ka shprehur mendimin e tij se Bashkimi Evropian duhet të shndërrojë avancimin ekonomik të Kosovës në prioritet kryesor të tij, ndërsa energjikisht duhet të vazhdojë me misionin e EULEX-it, posaçërisht në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, dhe sa me parë të përfshijë Kosovën në liberalizimin e vizave.