Rohan: Plani i Ahtisaarit përmban autonominë substanciale për serbët
Prishtinë, 24 tetor - Plani i Ahtisaarit në bazë të të cilit Kosova e ka shpallur shtetin nuk ka nevojë të ndryshohet për të adresuar çështjen në veri, meqë ai u jep autonomi substanciale komunave të Kosovës dhe mundësinë që ato të bashkëpunojnë njëra me tjetrën, si dhe me institucionet nga Serbia dhe kjo mjafton edhe për komunat në veri të Kosovës.
Kështu shpjegon ish-ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan, që ishte zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në këto bisedime, Martti Ahtisaari.
Në një intervistë për Kohën Ditore, Rohan, një diplomat austriak me renome botërore, ka thënë edhe se nuk i kupton kundërshtarët e dialogut me Serbinë, sepse Kosova nuk duhet të frikësohet nga bisedimet me përfaqësuesit e Beogradit, dhe se dialogu nuk paraqet rrezik por vetëm ofron mundësi për Prishtinën.
Qëllimi i dialogut duhet të jetë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kjo nënkupton që problemet konkrete të zgjidhen dhe bashkëpunimi rreth çështjeve praktike të jetë i vendosur ashtu siç ekziston mes të gjitha vendeve fqinje në Evropë. Në këtë kuptim, kontaktet mes fqinjëve nuk kanë kurrë fund. Do të ishte e dobishme nëse do të kemi disa rezultate konkrete brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.
Për aplikimin e modelit të dy Gjermanive në rastin e Kosovës Rohan tha se Edhe pse rrethanat janë të ndryshme në secilin rast, modeli mund të aplikohet në mënyrë të dobishme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur nëse mjafton për veriun Plani i Ahtisaarit, apo Qeveria e Kosovës duhet të ofrojë autonomi substanciale për serbët në veri, diplomati austriak u përgjigj:
Plani i Ahtisaarit ofron autonomi substanciale për komunat, dhe ato mund të bashkëpunojnë njëra me tjetrën dhe të formojnë asociacione ashtu si është paraparë me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.
Ato po ashtu mund të bashkëpunojnë me institucionet në Republikën e Serbisë dhe të pranojnë asistencë financiare e teknike nga Serbia.
\"Nuk mendoj se ka nevojë për aranzhime të mëtutjeshme në lidhje me komunat në veri. Për më tepër, nuk do të ishte e përshtatshme që të aplikohet një status tjetër për serbët që jetojnë në veri se sa për ata që jetojnë në pjesë të tjera të vendit.\"