Rohan: Fusnota për Kosovën s`ka asnjë pasojë
Prishtinë, 22 shkurt - Ish zëvendës kryengociatori i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan ka deklaruar se mbishkrimi për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale nuk ka asnjë pasojë për të.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadori Rohan tha se rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet me atë të Maqedonisë, ndërsa tërë debatin për mbishkrimin e konsideron të ekzagjeruar.
Askush nuk i lexon mbishkrimet, nëse bëhet fjalë për Republikën e Kosovës, apo Kosovën. Për shembull në vendin tim, askush nuk thotë Republika Federale e Austrisë në takimet ndërkombëtare. Shkruhet vetëm Austria, sikurse nuk i thonë as Gjermanisë, Republikë Federale e Gjermanisë e të tjera\", thotë Rohan.
I pyetur nëse bie ndesh Deklarata e Pavarësisë me Rezolutën 12 44, e cila parashikohet të shkruhet në mbishkrimin për përfaqësimin e Kosovës, Rohan ka theksuar se kjo gjë nuk mund të ndodhë pasi Rezoluta 1244 është ajo që është zbatuar së fundmi dhe sipas pikëpamjes sime është dokument historik.
Ajo parashikon dialog politik për çështjen e statusit, ndërsa ky dialog është zhvilluar dhe ka rezultuar me deklaratën e pavarësisë. Prandaj, deklarata e pavarësisë në njëfarë mënyre është konsekuencë e e kësaj rezolute. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj insistimin e Serbisë që ta përmend këtë rezolutë, e cila i takon së kaluarës ka shtuar Rohan.
I pyetur për situatën në veri të Kosovës dhe nëse është I nevojshëm një status special, Rohan shton se nuk ka nevojë për një status të tillë pasi çdo gjë është e përfshirë në pakon e Ahtisarit.
Nuk shoh se çfarë mund t`i shtohet, sepse çdo gjë që komuniteti serb në veri mund të donte apo mund të kishte nevojë, një lloj të sovraniteti serb, është përfshirë në pakon e Ahtisarit. Ata mund të udhëheqin çështjet administrative; me pakon njihet situata e veçantë në veri; kemi futur dispozita të veçanta për Mitrovicën e Veriut në fushën e shkollimit të mesëm dhe të sistemit të lartë shëndetësor ka shtuar Rohan.