Rohan: Bisedimet Prishtinë-Beograd pa ndërmjetësime
Prishtinë, 4 tetor - Zëvendësi i ish-emisarit special të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan deklaron se bisedimet para mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të jenë të natyrës joformale dhe në nivel ekspertësh.
Sipas tij, në këto bisedimi statusi i Kosovës nuk duhet të diskutohet fare, pasi ai është i zgjidhur tashmë. Në një intervistë për DË, Rohan ka thënë se do të ishte mirë që këto bisedime të fillojnë sa më parë.
"Këto nuk janë bisedime për statusin, kjo çështje është e zgjidhur dhe për këtë nuk ka çfarë të bisedohet. Këtu është fjala për çështje që ekzistojnë ndërmjet dy fqinjëve, transporti, komunikacioni, bashkëpunimi, dogana, kontrolli i kufijve, etj.", ka thënë Rohan.
Ai ka shtuar se ekziston një numër i madh i çështjeve praktike për të cilat duhet të bisedojnë Prishtina dhe Beogradi, në mënyrë që në themel të këtij bashkëpunimi praktik të mund të arrijë deri te përmirësimi i përgjithshëm i atmosferës.
"Marrim si shembull veriun e Kosovës. Këtu është shumë e rëndësishme lufta kundër kriminalitetit në kufij. Mandej, furnizimi me energji, mbrojtja e mjedisit jetësor. Për këto duhet biseduar në nivel ekspertësh, pasi për gjëra të tilla nuk bisedojnë presidentët e shteteve ose shefat e qeverive, por ekspertët", ka thënë diplomati austriak.
Rohan shprehet edhe kundër ndërmjetësimit, pasi sipas tij, të dyja vendet mund të bisedojnë për çështje praktike dhe pa ndihmën nga jashtë, por ka shtuar se Bashkimi Evropian mund të ndihmojë duke ofruar renditjen sipas të cilës do të bisedohej për çështje praktike.