Riza Halimi sërish fiton mandatin e deputetit
Preshevë, 17 mars - Partia për Veprim Demokratik (PVD) e Riza Halimit ka arritur që të fitojë një deputet në Parlamentin e Serbisë.
Rezultati i tillë është shpallur jozyrtarisht nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve në Serbi, ndërsa është konfirmuar edhe nga rezultatet preliminare të shpallura nga CESID (Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokratike).
Deri rreth orës 21.00, sipas rezultateve të CESID, shqiptarët e Luginës ishin pranë fitores edhe të deputetit të dytë, Shaip Kamberi që ishte pjesë e listës së përbashkët të PVD-së. Tre deputetë ka fituar partia e Sanxhakut SDA e Sulejman Ugljanin, ndërsa 7 deputetë ka fituar partia e hungarezve në Vojvodinë. (INA)
18: 24 - Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, Riza Halimi, tha për Radion Evropa e Lirë se procesi zgjedhor është duke shkuar mirë dhe se nuk ka pasur incidente.
Ai bëri të ditur se pavarësisht disa kërkesave të disa partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës, që shqiptarët të mos marrin pjesë në zgjedhjet e Serbiës, ato po zhvillohen normalisht dhe në to po votojnë shqiptarët.
Ende nuk ka ndonjë vlerësim nga grupi i punës në Preshevë, por do të shohim. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara, nuk po shohim ndonjë dallim të madh. Deri në fund të ditës pritet të shkojë mbi 40 për qind dalja e votuesve në zgjedhje, tha Halimi.
Sipas Halimit, thirrjet për bojkotim të këtyre zgjedhjeve nuk kanë pasur sukses. Po të kishte thirrje nga parti të tjera politike për të dalë në zgjedhje, shtoi ai, do të mund të siguroheshin dy deputetë në Parlamentin e Serbisë. Ai shprehu bindjen se një ulëse në Kuvendin e Serbisë do të sigurohet.
Halimi shprehu keqardhje pasi që shqiptarët nuk arritën që të dalin me një listë të përbashkët për të marrë pjesë në këto zgjedhje.
Shqiptarët e Luginës, sipas Halimit, kanë pasur parasysh edhe thirrjet e autoriteteve kosovare që të dalin në votime. Thirrjet e ekzekutivit kosovar dhe vizitat e zyrtarëve të lartë të ambasadave nga Beogradi kanë ndikuar që shqiptarët të dalin në zgjedhje.