Retuers dhe Stiftung zgjedhin gazetarin e Epokës së re
Londër, 7 prill - Fondacionet Thomson Reuters dhe Robert Bosch Stiftung këtë vit e kanë përzgjedhur nga Kosova gazetarin e Epokës së re, Afet Belën, që të marrë pjesë në programin për raportim në ekonomi dhe politikë, i cili do të mbahet në Londër, Bruksel, Berlin dhe Frankfurt.
Gazetari Bela do të jetë në mesin e 15 gazetarëve nga Evropa Juglindore. Zyrtarja nga Fondacioni Thomson Reuters në Londër, Belen Becerra, ka theksuar për gazetën se programi për raportim në ekonomi dhe politikë nga Evropa Juglindore organizohet në bashkëpunim me organizatën gjermane Robert Bosch Stiftung. Programi realizohet në dy pjesë. Në pjesën e parë përfshihen leksionet në Londër dhe Bruksel, kurse pjesa e dytë realizohet në Frankfurt dhe Berlin, ka deklaruar ajo.
Becerra ka bërë me dije se qëllimi i këtij programi është që gazetarët nga Evropa Juglindore të njihen më shumë me punën që bëhet në këto vende, në të cilat zhvillohet programi. Programi ka rëndësi të madhe sepse ofron mundësi që gazetarët pjesëmarrës të shkëmbejnë ide dhe përvoja në mes vete, është shprehur Bacerra.
Programi udhëhiqet nga Keith Stafford dhe Richard Meares, ish-gazetarë me përvojë të Reuters-it. Programi mbulon çështjet për shkrimet për ekonomitë në zhvillim të tregut, tregjet e raportimit. Pjesëmarrësit do të bëjnë ushtrime praktike të bazuara në temat aktuale evropiane.