Republika Srpska nuk lejon Bosnjën të njohjë Kosovën
Sarajevë, 11 korrik - Kryetari i Republikës Srpska, Milorad Dodik ka përsëritur se ky entitet nuk do të jap pëlqimin Bosnjë e Hercegovinës për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Konsiderojmë se është sjellë në pikëpyetje integriteti territorial dhe Rezoluta 1244, me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe në këtë drejtim B e H nuk mund ta mbështesë një vendim të tillë të njëanshëm të pavarësisë duke pas parasysh konstituimin e brendshëm dhe faktin që Serbia është një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Dejtonit, ka thënë Dodik.
RS do të mbështesë politikën e Serbisë kur është në pyetje Marrëveshja e Brukselit lidhur me Kosovën dhe do të mbështesë dhe përcjellë vendimet zyrtare të Serbisë në këtë drejtim.
Dodik, pas takimit me kryeministrin serb Ivica Daçiq ka thënë se RS do të mbështesë proceset evropiane të Serbisë dhe konsideron se B e H është dashur të fillojë në grumbullimin e fakteve për status të kandidatit për UE.
Ai ka theksuar se Serbia edhe kësaj here konfirmon se B e H është vend sovran i përbërë nga dy entitete dhe tre popuj ndaj dhe nuk ka asgjë kundër marrëveshjeve institucionale në B e H.
Po ashtu ai ka shtuar se RS nuk ka asgjë kundër Serbisë që të mbajë mbledhje të përbashkëta me Qeverinë federale ose me Këshillin e ministrave të B e H ose me qeveri të tjera, sepse sipas tij, kjo është dëshmi që Serbia dëshiron normalizim të marrëdhënieve, gjë që RS e mbështetë këtë koncept.