Reichel: Vetëvendosje kopsht politik i fëmijëve
Prishtinë, 6 shkurt - Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Ernst Reichel ka dalë me një deklaratë pas aktiviteteve të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me emërtimin e Kosovës në nismat rajonale.
Në deklaratën e ambasadorit gjerman thuhet: Kampanja më e re e Vetëvendosjes mbi emërtimin Republika e Kosovës, e cila thotë se përdorimi i çfarëdo emërtimi tjetër do të ishte në kundërshtim me kushtetutën dhe njëherit tradhëti e lartë, nuk është gjë tjetër veç kopsht politik i fëmijëve.
Në BE, OSBE, OKB dhe në instanca tjera ndërkombëtare delegacioni gjerman zakonisht është i ulur prapa shenjës Gjermania dhe jo Republika Federale e Gjermanisë.
Kjo sipas ambasadorit gjerman vlenë për shembull edhe për Republikën e Francës apo Mbretërinë e Holandës, ose pothuajse për të gjitha shtetet. Nuk ka arsye pse kjo të jetë ndryshe në rastin e Kosovës. thuhet në fund të deklaratës.