Referendumi në veri të Kosovës, i rrezikshëm për Serbinë
Beograd, 9 janar - Referendumi në katër komunat në veri të Kosovës, i planifikuar të mbahet me 14 dhe 15 shkurt, mund të ndikojë fuqishëm në vendimin e marsit, për kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në BE.
Vendimi i serbëve të Mitrovicës, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, për mospranim të autoriteteve të Kosovës, mund të jetë irritim i ri politik për Gjermaninë, shtet ky që nga Beogradi kërkon që të eliminojë strukturat paralele në Kosovë, shkruan Vecernje Novosti.
Presidenti serb, Boris Tadiç, ka thënë se mbajtja e referendumit mund të rrezikojë përpjekjet diplomatike të shtetit për marrjen e statusit të kandidatit.
Fushata e referendumit dhe ngrohja e ambientit politik në veri të Kosovës, përputhet me takimin e Këshillit të Ministrave të BE-së, që mbahet në mes të shkurtit, dhe nga rekomandimet e të cilit varet edhe vendimi përfundimtar i Komisionit Evropian në mars.
Krstimir Pantiç, kryetar i komunës paralele të Mitrovicës, tha se referendumi në asnjë mënyrë nuk mund të ndikojë në vendimin e marsit në Bruksel.
"Angela Merkel haptas e ka thënë atë që Serbia duhet ta bëjë për kandidaturë: të heq institucionet paralele dhe të ndërtoj marrëdhënie të mira fqinjësore. Fjalët se serbët e Kosovës tani do ta ngadalësojnë rrugën evropiane të Serbisë, janë krejtësisht pa bazë. Kështu, zyrtarët e Beogradit janë duke u përpjekur për të justifikuar politikat e saj të këqija, ka thënë Pantiç.
Zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiç, i këshillon serbët në veri të Kosovës që për çdo hap të rëndësishëm, si referendumi, të koordinohen me Beogradin.
"Kjo ka rëndësi, në mënyrë që tërë ky aksion të mos jetë i dëmshëm për interesant kombëtare dhe shtetërore serbe. Serbia dhe serbët duhet të bëjnë politikë shtetndërtuese dhe secilin veprim ta masim me qëllimin që duam ta realizojmë. Këtu askush nuk po flet për atë se a kanë serbët të drejtë apo jo. Fjala është se çfarë duam të arrijmë me referendum. Nëse duam të tregojmë se nuk e pranojmë pushtetin e Prishtinës, këtë të gjithë e dinë. Bile edhe Hashim Thaçi, ka thënë Daçiç.