10 Janar 2025

Reeker konfirmon serish mbështetjen amerikane për Kosovën

Prishtinë, 21 qershor - Në vazhdën e vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe delegacioni që ai udhëheq, ka zhvilluar një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit, me zëvendës-ndihmës sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euro-Azisë, Philip Reeker, me ndihmës-administratoren e USAID-it, Peige Alexander, si dhe ka mbajtur një ligjëratë në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Uashington, me temën “Shtetndërtimi i Kosovës”. 

Zëvendës-ndihmës sekretari për Çështje Evropiane dhe Euro-Azisë, Reeker, duke konfirmuar serish mbështetjen amerikane për Kosovën, theksoi se bashkërisht me institucionet e Kosovës do të punohet në përmbylljen me sukses të procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Ai shprehu kënaqësinë që Kuvendi i Kosovës ka bashkëpunim të mirë me Kongresin amerikan, por edhe me Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë.

Lidhur me angazhimet e Kuvendit të Kosovës për përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë, zyrtari i lartë amerikan tha se miratimi në parim i projektligjit lidhur me përfundimin e kësaj mbikëqyrjeje, është një veprim i mirë, që ndihmon fundin e këtij procesi.

Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të rritjes së numrit të njohjeve për Kosovën, duke u fokusuar në pesë shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

Kryeparlamentari Krasniqi e njoftoi Reeker për zhvillimet fundit në Kosovë, duke filluar nga puna e Kuvendit dhe e Qeverisë në procesin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, zhvillimet në veri, dialogun me Beogradin dhe mos zbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, procesin e liberalizimit te vizave dhe marrjen e dokumentit për studimin e fizibilitetit.

Kreu i Kuvendit të Kosovës kërkoi, gjithashtu, mbështetjen në procesin e njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. 
Gjatë takimit me ndihmës-administratoren e USAID-it.

Peige Alexander, kryeparlamentari Krasniqi shprehu falënderimet e tij për ndihmën që kjo organizatë ka dhënë në zhvillimin e Kuvendit te Kosovës, institucioneve kyçe politike, reformimin e procesit politik dhe ndihmën në gjithpërfshirjen qytetare.

Ai theksoi se programet afatgjate për mbështetje të Kuvendit të Kosovës, të financuara nga USAID-i dhe të implementuara nga NDI-ja, kanë qenë me rëndësi të madhe për zhvillimin e institucionit më të lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend.

Zyrtarët e USAID-it shprehen gatishmërinë për bashkëpunim dhe vazhdim të përkrahjes së tyre për Kuvendin e Kosovës.

Kryetari Krasniqi, po ashtu, mbajti një ligjëratë në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Washington, me temë “Shtetndërtimi i Kosovës”, gjatë të cilës shpjegoi në mënyrë kronologjike dhe të shteruar zhvillimet në fundin e shekullit të 19-të dhe fillimin e shekullit të 20-të, që çuan në pavarësimin e Kosovës.

Kryetari Krasniqi tha se pavarësia e Kosovës është shpallur në koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa rol dhe ndikim përcaktues kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)