Reagime tjera gjermane kundër spekulimeve opozitare
Berlin, 2 qershor - Pas një serie shkrimesh të mediave kosovare me spekulime se Gjermania është duke punuar kundër Partisë Demokratike dhe kryeministrit Thaçi si dhe kinse kërkon ndryshim të qeverisjes, sot u lajmëruan zyrtarë dhe njohës të Ballkanit nga Berlini të demantojnë këto pohime mediale në Kosovë.
Fillimisht Përfaqësuesi Special i Kancelares Angela Merkel për Ballkan dhe Azi Qendrore, Ernst Reichel, e postoi një video të takimit në mes Kryeministrit Thaçi dhe kancelares gjermane, me një koment rreth asaj se kënd e përkrah Berlini, ndërsa edhe një nga ekspertët më të njohur për Ballkanin, Bodo Weber, deklarohet në një intervistë për Telegrafin rreth asaj se ku qëndrojnë preferencat gjermane sa i përket zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit.
Telegrafi: Ka pasur spekulime në disa media kosovare se Gjermania ka synim të ndryshoj qeverinë në Kosovë. Një institut slloven IFIMES po ashtu botoi një raport ku thuhet se Gjermania nuk preferon Thaçin. A ka diçka të saktë në këto raportime?
Weber: Duke ditur stilin e punës të kësaj organizate IFIMES, por duke ditur edhe përkrahjen e madhe të politikës gjermane për dialogun Serbi-Kosovë, unë dyshoj seriozisht që qeveria gjermane ka paragjykime të tilla, e lëre më të përzihet direkt në zgjedhjet kosovare.
Telegrafi: A e përkrah Gjermania vazhdimin e dialogut dhe a do të ketë ndryshim të politikës gjermane varësisht prej rezultateve zgjedhore në Kosovë?
Weber: Pa asnjë dyshim Gjermania do të vazhdon përkrahjen dhe insistimin që dialogu të implementohet i tëri dhe të zgjidhet një herë e përgjithmonë çështja e pacenueshmërisë së integritetit territorial të Kosovës, nëpërmjet presioneve të bisedave të integrimeve evropiane me Serbinë.
Telegrafi: Cilat prioritete duhet të ketë Qeveria e re kosovare, sipas Gjermanisë?
Weber: Reformat demokratike janë të domosdoshme, sidomos reforma elektorale. Ka një ndjenjë në qarqe politike në Berlin se ka pasur shumë presion ndaj Serbisë që ta pranoj Kosovën dhe tani duhet bërë presion në Kosovë, si tek partitë e qeverisë ashtu edhe të ato opozitës, që të pajtoheni për reforma substanciale zgjedhore dhe se tani do të vihet presion për këto çështje.
Telegrafi: A pritni serbët e veriut të votojnë dhe çfarë efekti do të ketë vota e tyre në dinamikën politike?
Weber: Nuk besoj se serbët e veriut do të rrezikojnë të mbesin jashtë Parlamentit të Kosovës. Sa ka mundësi të ndikimit të listës së përbashkët të Beogradit në Kuvendin Kosovar, varet nga mënyra se si BE dhe SHBA do të përcjellin dialogun që tani ka stopuar për shkak të zgjedhjeve në të dy shtetet.
Telegrafi: Ka qenë një fushatë relativisht e qetë në Kosovë, me shumë fokus në ekonomi. A besoni se ka kaluar koha e fushatave nacionaliste?Weber: Koha për rrëfime nacionaliste do të përfundoj gjithsesi kur Perëndimi të jetë në gjendje t\'i bindë kosovarët se veriu është integruar plotësisht dhe se shumica e BE-së ka siguruar perspektivën evropiane të Kosovës, sidomos me pesë shtetet jo-njohëse të BE-së. Jam i bindur se ky është drejtimi kah jeni nisur, por ende nuk ka mjaft progres që kosovarët të ndihen të sigurt.