Raundin e katërt i bisedimeve mes Kosovës e Serbisë më 17 Maj
Prishtinë, 4 maj - Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri takoi ndërmjetësin e Bashkimit Evropian për dialogun teknik Robert Cooper.
Gjatë takimit u bisedua për përgatitjen e agjendës për raundin e katërt të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 17 dhe 18 Maj në Bruksel, ku temat kryesore përfshijnë çështjen e të pagjeturve, çështjen e trashëgimisë kulturore dhe çështjen e njohjes së diplomave shkollore dhe universitare.
Gjithashtu në takim u diskutuan edhe çështjet që tashmë janë të hapura dhe mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve, si dhe u diskutuan edhe elemente të ndryshme të marrëveshjeve të mundshme kornizë të cilat në një proces mund të rezultojnë edhe në marrëveshje.
Zëvendëskryeministrja Tahiri, falënderoi z. Cooper dhe BE-në, për angazhimet konstruktive rreth dialogut me një rol të rëndësishëm në çuarjen përpara të objektivave të dialogut, të cilat synojnë zgjidhjen e çështjeve praktike në të mirë të qytetarëve si dhe në afrimin e Kosovës me BE-në.
Gjithashtu u theksua se rezultatet e dialogut do të shënojnë përparime në bashkëpunimet rajonale si një prej parakushteve për integrimet evropiane.