Raundi i gjashte anulohet me fajin e palës serbe
Bruksel 19 korrik - Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ka takuar sot pasdite në Bruksel ndërmjetësin e BE në dialogun teknik Robert Cooper në prag të raundit të gjashtë të bisedimeve.
Cooper me keqardhje ka njoftuar Zëvendëskryeministren Tahiri për vendimin e tij për të anuluar raundin e gjashtë të bisedimeve, me arsyetimin se kishte vlerësuar se ka nevojë që të punohet më tepër për finalizimin e marrëveshjeve në katër çështjet të cilat janë shumë afër zgjidhjes, si energjia, telekomunikacioni, tregëtia e lirë dhe kadatsrat.
Tahiri në këtë takim ka konfirmuar angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të kontribuar për zgjidhje evropiane të këtyre çështjeve dhe se ka udhëtuar në Bruksel e përgatitur maksimalisht për të arritur rezultate konkrete.
Ajo ka vlerësuar angazhimin e BE-së për dialogun teknik duke potencuar se pala e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin për dialogun teknik me besimin se ky dialog është në dobi të qytetarëve dhe në dobi të integrimit sa më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në një deklaratë zyrtare pas këtij takimi, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se raundi i gjashtë i dialogut është anuluar me fajin e palës serbe e cila nuk është treguar e gatshme ta pranojë marrëveshjen për tregëtinë e lirë, përkatësisht njohjen e vulave të doganave të Kosovës, të njohura tashmë nga Bashkimi Evropian.
\"Me këtë qëndrim, Serbia vazhdon të shkel parimet e lëvizjes së lirë të mallrave, si një prej parimeve fundamentale të Bashkimit Evropian\", ka thënë Tahiri.
Ajo ka porositur Serbinë që orientimi proevropian nuk bëhet me retorikë por me politika e vendime proevropiane.
Në bazë të bisedës Tahiri - Cooper merret vesh se raundi i rradhës do të mbahet në fillim të shtatorit.