Rasmussen e siguroi Jahjagen se nuk ka ndarje të Kosovës
Bruksel, 19 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua në Selinë e NATO-s në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen përgëzoi presidenten Jahjaga për lidershipin e saj.
Ai tha se presidentja Jahjaga, qëndron si garantues i vlerave dhe principeve bazë të demokracisë dhe sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes dhe barazisë qytetare, principe këto mbi të cilat po ndërtohet Kosova.
Ai gjithashtu i dha mbështetje presidentes për rolin e saj në heqjen e neneve 37, 38 dhe 39 nga kodi penal i Kosovës, duke mundësuar kështu lirinë e shprehjes dhe punën profesionale të medieve.
Rasmussen e përgëzoi presidenten Jahjaga, për përfundimin me sukses të fazës së pavarësisë së mbikëqyrur duke vlerësuar këtë si një hap përpara për Kosovën, si dhe përgëzoi punën e FSK-së, në përmbushjen e kapaciteteve të plota operacionale në realizimin e mandatit të saj.
Rasmussen tha se KFOR-i do të qëndroj edhe më tej në Kosovë si garantues i paqes dhe i stabilitetit.
Duke theksuar se zgjidhja e çështjeve në tri komunat e veriut është politike dhe në këtë bazë e përgëzoi presidenten Jahjaga për angazhimin e saj në komunikimin me të gjitha komunitetet në vizitat komunave me popullatë serbe dhe përkushtimit të saj për integrimin e plotë të komuniteteve në shoqërinë kosovare.
Sekretari Rasmussen, e siguroi presidenten Jahjaga se nuk ka ndarje të Kosovës, por zgjidhja është në integrimin e plotë, është me rëndësi që zyra administrative të jetë funksionale dhe të kryejë punën e saj për të mirën e të gjithë qytetarëve.
Presidentja Jahjaga e falënderoi Sekretarin e NATO-s, Rasmussen për angazhimin e tij personal dhe për punën e të gjithë atyre burrave dhe grave të KFOR-it, që po e bëjnë në Kosovë për të cilën gjë e gëzojnë respektin dhe nderimin e të gjithë qytetarëve duke qenë KFOR-i institucioni më i besueshëm.
Presidentja Jahjaga, e falënderoi NATO-n për ndihmën që i ka dhënë dhe po i jep FSK-së, në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale duke e bërë një institucion shumë të rëndësishme në shërbim të popullit.
Duke folur për situatën e përgjithshme Presidentja Jahjaga, theksoi se Kosova shtet sovran dhe i pavarur është bërë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe zhvillon marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët dhe këso marrëdhëniesh dëshiron që të ketë edhe me fqinjin verior Republikën e Serbisë, sepse e ardhmja e gjithë rajonit është në integrimet Evropiane dhe këtu arrijmë duke e ndihmuar njëri tjetrin.