Raporti i Marty, të zotët e shtëpisë padisin raportuesin
Kukës, 31 mars - Të zotët e shtëpisë së cilësuar nga deputeti zviceran Dick Marty si shtëpia e verdhë, kanë paditur raportuesin e Këshillit të Europës për shpifje dhe dëm moral në gjykatën e Tiranës.
Duke u shprehur në padinë e tyre se janë të dëmtuar moralisht pasi Dick Marty në raportin e tij ka bërë objekt hetimi shtëpinë e tyre pa asnjë argument dhe duke shpifur, kur e ka cilësuar si një spital ilegal ku ish-ushtarët e UCK-së kryenin transplantet ilegale të organeve njerëzore.
Kryesuesi i padisë, Imer Brama shprehet se kërkon që gjykata të detyrojë Dick Marty-n të përgënjeshtrojë raportin e 15 dhjetorit 2010 dhe të paguajë një shumë prej 10 milionë lekësh.
Është një padi për shkaktim dëmi, për rrethanat e rreme të paraqitura në këtë raport. Kjo shtëpi nuk është dhënë ndonjëherë me qera tek të tjerët dhe as që bëhet fjalë që në të të jenë bërë transplante organesh, ka deklaruar Roland Islami, avokat i familjes Brama.
Paditësit shprehen në këtë dokumet se, në raportin e tij, Dick Marty ia ka faturuar përgjegjësinë gjithë Shqipërisë me dashje direkte, por në koncept të ligjit dhe të së drejtës, indirekt është cënuar shtëpia e familjes Brama.
Si shkak i këtij raporti të Dick Marty, ku përmendet se objekti ka qenë një ndër bazat e UCK-së nga ku kryheshin transplante, paditësit theksojnë para gjykatës se ekspertimet dhe hetimet e kryera në banesën e tyre jane kthyer në një makth për familjen e tyre.