Radikalët serbë fyejnë Kacinin dhe shqiptarët
Beograd, 19 mars - Deputetët radikalë të Serbisë kanë fyer raportuesin e Parlamentit Evropian, Jelko Kacin dhe shqiptarët gjatë takimit në Parlamentin e Serbisë me përfaqësuesit e disa partive politike.
\"Të gjitha bisedat u zhvilluan në një atmosferë pozitive, përveçse në rastin e një partie, e cila në mënyrë të pashembullt foli për një popull dhe një vend\", ka thënë Kacin, duke mos dashur të japë detaje.
Ndërkohë, deputeti i radikalëve, Momir Markoviç pohon se nuk kanë fyer askënd.
\"Vetëm nëse Kacin nuk mendon për atë që kemi thënë shiptari s Kosova (shqiptarët nga Kosova). Kemi thënë se Serbia e ka vendin në BE, por e tërë me Kosovën në përbërje të saj. I kemi bërë vërejtje se gjatë vizitës së kaluar në parlament, Kacin i ka përshëndetur deputetët me \'mirdita\', dhe se ka marrë pjesë në vrasjen e ushtarëve të APJ-së në Slloveni. Pas kësaj kemi braktisur seancën e këshillit\", u ka thënë Markoviç gazetarëve.