Qytetet zvicerane masa ndaj azilkërkuesve
Bernë, 14 gusht - Një qytet i vogël në Zvicër thotë se nuk do ti lejojë azilkërkuesit të përdorin disa mjedise publike, duke pëfshirë pishinat dhe bibliotekat.
Kjo masë ka shkaktuar indinjatë, veçanërisht mes grupeve të të drejtave të njeriut, të cilat thonë se kjo është një masë raciste dhe ato paralajmërojnë se mund të përhapet edhe në zona të tjera të vendit.
Por analistët thonë se ndërkohë që politikanët në Evropën e goditur nga kriza ekonomike përdorin retorikën kundër imigrantëve si mënyrë për të fituar popullaritet, ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare duhet të mbrojnë të drjetat e imigrantëve.
Qyteti Bremgarten po ndalon azilkërkuesit nga 32 mjedise publike si bibliotekat, sheshet e lojrave dhe pishinat.
Titullari i zyrës federale zvicerane të imigracionit, Mario Gattiker, ka thënë se qyteti synon të shmangë konfliktet mes banorëve vendas dhe azilkërkuesve.
Por grupet e të drejtave të njeriut thonë se kjo përbën ndërhyrje në të drejtat e njeriut të azilkërkuesve.
Gerry Simpson, studiues i organizatës së të drejtave të njeriut Human Rights Watch, thotë se qeveria duhet ta bllokojë këtë masë.
Kjo përbën një rrezik të qartë, nëse qeveria zvicerane nuk e pengon këtë prirje në qytetin e parë që ndalon lirinë e lëvizjes, ne do të shohim që ky shembull do të ndiqet në gjithë vendin gjatë dy vjetëve të ardhshëm.
Qendra e pritjes në Bremgarten është e para mes nëntë qendrave që do të hapen për strehimin e azilkërkuesve në Zvicër.
Kryetari i Bashkisë së qytetit tjetër, Menizngen, ku një qendër është në plan të hapet në vitin 2015, i ka thënë medias zvicerane se ka në plan të marrë masa të ngjashme. Azilkërkuesit, thotë ai, do të ndalohen nga grumbullimet pranë shkollave, për shembull.
Ministri i Imigracionit, Gattiker, thotë se planet nuk prekin të drjetat e azilkërkuesve për lëvizjen e lirë, pasi nuk parashikohen ndëshkime në ligjin zviceran, nëse rregullat nuk respektohen.
Por zoti Simpson thotë se azilkërkuesit mund të ndëshkohen nga rregullat e brendëshme të qendrave, duke mos i lajuar ata, për shembull, që të largohen nga qendrat e strehimit.
Zoti Simpson thotë se nëse qeveria nuk ndryshon qendrim, çështja duhet të paraqitet në gjykatë.
Ajo që duhet është guximi i azilantëve, që të ankohen ndaj këtyre rregullave në gjykatat e Zvicrës.
Ndryshimet e kohëve të fundit në ligjin zviceran e kanë bërë kërkimin e azilit më të vështirë, duke pëfshirë edhe refuzimin e statusit të azilantit edhe tek ata që janë kundërshtarë politike në vende të ndryshme, një masë kjo që ka patur ndikim të madh tek aplikantët nga Eritria.
Alexandre Afonso është ekspert i reformës së imigracionit në Kolegjin e Mbretit në Londër.
Ai thotë se megjithë ndryshimet, ligji zviceran siguron një mbrojte të fortë për refugjatët dhe nëse hidhet në gjyq, Bremgarten do ta ketë të vështirë ta mbrojë çështjen.
Hapësira e qeverisë për manovrime është shumë e kufizuar lidhur me imigracionin. Kjo për arsye të angazhimeve ndërkombëtare të vendeve të BE-së, por edhe të vetë ligjeve të vendit.
Ai thotë se në gjithë Evropën, veçanërisht me tensionet e sotme ekonomike, politikanët po fajësojnë imigrantët për problemet e shoqërisë.
Por ai thotë se gjykatat e vendit, pothuajse gjithmonë mbrojnë të drejtat e njeriut të imigrantëve kur qeveria përpiqet ti cënojë ato për të kënaqur votuesit.
Por zoti Afonso paralajmëron se partitë e djathta kundër imigracionit po fitojnë terren në Evropë dhe me një ndikim të ndjeshëm ato mund të ndryshojnë situatën.
Ndryshimi i sistemit ligjor gjithmonë merr kohë, por mendoj se ekziston rreziku që qeveritë ta braktisin gjithë këtë ligj që mbron të drejtat e njeriut, me qëllim që tu tregojnë votuesve se mbajnë një qendrim të rreptë ndaj imigracionit.
Qyteti Bremgarten ka një popullsi prej rreth 6500 banorësh. Qendra e saj e re e imigracionit mund të strehojë deri në 150 njerëz, por tani për tani atje janë vetëm disa dhjetra. Ata lejohen të largohen nga qendra nga ora 9 deri në orën 17 çdo ditë.
Më pak se 50 mijë njerëz kërkojnë aktualisht strehim në Zvicër.