Qeveria serbe ndahet në dy rryma për Kosovën
Beograd, 23 gusht - Mosmarrëveshjet në koalicionin qeverisës rreth rezolutës për Kosovën kanë arritur kulmin në mbledhjen e qeverisë së Serbisë, kur shefi i diplomacisë Vuk Jeremiç ka thënë se Beogradi nuk do të lëshojë pe para kërkesave të Brukselit, i cili kërkon zbutje të rezolutës për Kosovën, shkruan në numrin e djeshëm gazeta Blic.
Sipas burimit të saj, qëndrimit të Jeremiçit i është kundërvënë ministri i Ekonomisë, Mlagjen Dinkiç, i cili ka insistuar në arritjen e kompromisit me Amerikën dhe vendet e Kuintit.
Dinkiçi, edhe në mbledhjen e kaluar të qeverisë, ka refuzuar ti japë visto mbështetje politikës së mëtejshme të Jeremiçit.
Ai u ka tërhequr vërejtjen kolegëve të tij ministra se ashpërsimi i mëtejshëm i raporteve me Uashingtonin dhe kryeqendrat europiane është punë e rrezikshme.
Mendimin e tij e ka mbështetur edhe SPO (partia e Drashkoviçit), derisa ministrat e SPS të enjten kanë heshtur për këtë punë, duke qëndruar në anën e DS-së së Tadiçit.
Jeremiçi mendon se ashpërsimi i mëtejshëm i raporteve me vendet e Kuintit mund të na sjellë epërsi para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të KB. Ai luan me letrën e mosunitetit ndërmjet vendeve të BE-së kur bëhet fjalë për rezolutën serbe. Ai beson se në Bruksel nuk do të ketë konsensus për paraqitjen e EBE-së në Asamblenë e Përgjithshme, dhe se vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës do të mund të abstenonin me rasti e votimit për rezolutën serbe, i tha Blicit ky burim.