Qeveria e Serbisë ofron garanca për Ivanoviqin e Dellibashiqin
Beograd, 10 shkurt - Qeveria e Serbisë ka ofruar garanca që Olliver Ivanoviq, Dragolub Dellibashiq, Llaza Llaziq dhe Zharko Vesellinoviq, të cilët janë në burg, do të jenë në dispozicion të EULEX-it gjatë kohës sa do të zgjat procesi gjyqësor kundër tyre, thuhet në një njoftim të qeverisë serbe dërguar medieve.
Vendimi është marr gjatë mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar serb, ku thuhet se Serbia, gjegjësisht qeveria e Serbisë, ofron garanca për këta të dyshuarit që po mbahen në burg.
Sipas zyrës për medie të qeverisë së Serbisë, garancioni i qeverisë së Serbisë, i paraqitet misionit evropian në Kosovë, për ti liruar të dyshuarit që të mbrohen në liri.
Javën e kaluar, një gjykatë në Kosovë kishte refuzuar lirimin për tu mbrojtur në liri të dy të dyshuarve, pasi ekziston rreziku se të njëjtit mund të ikin nga Kosova.
Të paraburgosurit dyshohen se kanë kryer krime kundër shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë, në vitin 1999 dhe 2000.