Putin “bombardohet” me sanksione, i bllokohet çdo gjë
Washington 25 shkurt - Presidenti Vladimir Putin ka marrë sanksione nga të gjitha anët dhe thuajse nga të gjitha shtetet. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar ditën e sotme planet e SHBA-së për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe në sanksionimin e Putin dhe Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov.
Gjatë një konference, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se SHBA, “në përputhje me vendimin e aleatëve evropianë”, do të sanksionojë Putinin, Lavrovin dhe “anëtarët e tjerë të ekipit rus të sigurisë kombëtare”.
Por ndërsa sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së ndaj Putinit dhe Lavrovit do të sjellin një ngrirje të aseteve, jo një ndalim udhëtimi, Psaki tha se masat e SHBA do të përfshijnë edhe ndalimin e udhëtimit. Psaki thotë se detaje më specifike mbi sanksionet do të publikohen më vonë.
Vendet e BE-së ranë dakord që të ngrijnë pasuritë e presidentit rus dhe ministrit të tij të jashtëm në vendet e bllokut, pasi udhëheqësi i Ukrainës kërkoi me ngut veprime më të shpejta dhe më të forta për të ndëshkuar sulmin rus ndaj vendit të tij.
Masa kundër Putinit dhe kryediplomatit të tij Sergei Lavrov erdhi ndërsa të dërguarit e 27 vendeve anëtare të BE-së diskutuan hollësitë e një vale të re sanksionesh, që u mbështetën nga udhëheqësit e BE-së në një samit urgjent të enjten në mbrëmje.
“Është një sinjal i rëndësishëm politik”, tha një diplomat i lartë i BE-së, duke iu referuar vendimit për të vënë në shënjestër udhëheqësit e Rusisë.
Një zyrtar i BE-së tha se ky raund i dytë sanksionesh do të pasohet nga një i tretë, që mund të synojë “shumë më shumë” oligarkë rusë. “Ne po lëvizim sa më shpejt që mundemi,” tha zyrtari.
Më herët të premten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i kërkoi Evropës që të veprojë më shpejt dhe më me forcë në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, duke akuzuar aleatët perëndimorë se po bënin politikë, ndërsa forcat e Moskës përparonin në Kiev.
“Ju ende mund ta ndaloni këtë agresion. Duhet të veproni me shpejtësi,” tha ai, duke shtuar se ndalimi i hyrjes së rusëve në BE, përjashtimi i Moskës nga sistemi global i pagesave ndërbankare SWIFT dhe një embargo e naftës duhet të jenë të gjitha në tryezë.