Projekti i BE-se, duhet të përmbyllet me përfshirjen e shteteve të Ballkanit
Brdo, 6 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Brdo të Sllovenisë, i organizuar nga presidenca sllovene e Këshillit të BE-së.
Riafirmimi i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, si një zgjedhje e përbashkët strategjike, ishte tema kryesore e samitit.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian kanë për njëri-tjetrin.
Projekti politik dhe procesi historik i paqes dhe prosperitetit, Bashkimi Evropian, duhet të përmbyllet me përfshirjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, theksoi ai.
Diskutimet në sesionet plenare u përqendruan në intensifikimin e bashkëpunimit rajonal dhe eksplorimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në çështjet politike dhe të sigurisë me interes reciprok për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor.
Zbatimi i Planit Ekonomik dhe të Investimeve, i cili përcakton një paketë të konsiderueshme investimesh, u vlerësua se do të gjenerojë rritje më të qëndrueshme, nga e cila do të përfitojë rajoni dhe Evropa në tërësi.
Në sesionet plenare, kryeministri Kurti mori pjesë krahas liderëve të rajonit dhe aktorëve kryesorë për rajonin, përfshirë Presidentin e Parlamentit Evropian, Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, Bankën Evropiane të Investimeve, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Botërore.
Fokusi ishte në intensifikimin e angazhimit të Bashkimit Evropian për të nxitur rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Me udhëheqësit nga BE dhe Ballkani Perëndimor u bisedua për mundësitë e thellimit të dialogut politik, bashkëpunimin e sigurisë dhe angazhimin strategjik, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët. U diskutua edhe se si të sigurohet stabiliteti i rajonit, të forcohet bashkëpunimi rajonal dhe të zgjidhen konfliktet rajonale.
Së bashku me kryeministrin Kurti, në samit morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e punëve të jashtme, Donika Gërvalla dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ky samit BE-Ballkan Perëndimor mblodhi udhëheqës nga shtetet anëtare të BE-së dhe gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor: Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Republika e Maqedonisë së Veriut. Bashkimi Evropian në këtë samit u përfaqësua nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.