Procesi i integrimit duhet përshpejtuar duke forcuar themelet e qeverisjes lokale

Tiranë, 26 prill - Me ftesë të projektit “Bashkitë për në Evropë” i financuar nga Bashkimi Evropian, përfaqësues nga Instituti KLGI morën pjesë në konferencën e punës Bashkitë në Procesin e Integrimit të Shqipërisë.
Në konferencë prezantuan Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko me portfolio në Qeverisje Vendore, përfaqësues nga shoqatat e qeverisjes vendore, kryetarë të bashkive dhe ekspertë nga delegacioni i BE-së. Po ashtu, prezent në këtë ngjarje ishte Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokale.
Në këtë konferencë përfaqësuesit e Institutit KLGI kanë shkëmbyer informacione dhe kanë prezantuar shembullin e Kosovës.
Në hapje të prezantimit, në krahasimin e progresit me rajonin, Ambasadorja Vlahutin përmendi Kosovën si shembull suksesi në të hyrat e përgjithshme që mblidhen nga niveli lokal dhe po ashtu investimet që bëhen në këtë nivel.
Po ashtu përmendi edhe potencialin e përgjithshëm ekonomik ku niveli lokal në Kosovë qëndron më mirë se në disa vende të rajonit. Mesazhi i ambasadores Vlahutin ishte që përfaqësuesit e BE-së të zbresin në teren ngase Shqipëria nuk është vetëm Tiranë.
Pas folësve kryesorë u prezantuan edhe gjetjet kryesore të vlerësimit të parë kombëtar mbi matjen e performancës së pushtetit vendor në kuadër të procesit të integrimit evropian. Për dallim nga Shqipëria, Kosova ka arritur një konsolidim të lartë në vlerësimin e performancës, me përkrahjen e partnerëve siç janë SDC, USAID dhe DEMOS.
Konferenca ishte e ndarë në tri panele pune: i) Decentralizimi Fiskal; ii) Shpërndarja e Shërbimeve Sociale; dhe iii) Çështjet e Qeverisjes dhe Sundimit të Ligjit. Në të tria panelet u përfshinë përfaqësuesit e Institutit KLGI ku patën rastin të njihen me mentorshipin e ekspertëve evropian, sfidat e prezantuara nga bashkitë dhe njëkohësisht të paraqesin perspektivën në këto fusha në Kosovë.
Në këtë ngjarje, u.d i drejtorit ekzekutiv të KLGI-së, Besnik Muçaj, pati rastin të diskutojë me drejtuesit e projektit "Bashkitë në BE" lidhur me modelet dhe rezultatet që ka sjellë ky projekt. Interes i veçantë u vendos në forcimin e kapaciteteve të nivelit vendor në thithjen e fondeve zhvillimore.
Ky aktivitet i Institutit KLGI po zhvillohet në kuadrin e angazhimeve të përbashkëta regjionale për shkëmbimin e informacionit dhe forcimin e komunikimit në fushën e qeverisjes lokale. Në javët në vazhdim Instituti KLGI do të jetë në takime të veçanta ne Maqedoni për të parë në fokus çështjen e bashkëpunimit ndër-komunal. /InfoKomuna/